Ministria e Mbrojtjes njofton qytetarët sot më 17 nëntor për reshjet që priten në vend gjatë dy ditëve të ardhshme, duke apeluar për kujdes dhe vëmendje të shtuar, veçanërisht në qarqet më të prekura.
Sipas informacionit të përditësuar nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU), sot, ditë e hënë, 17 nëntor 2025, priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.
Në qarqet Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në qarqet e tjera parashikohen reshje të dobëta. Intensiteti pritet të rritet në orët e pasdites.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se “Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është e angazhuar në monitorimin, koordinimin e masave parandaluese dhe reagimin në kohë në rast të përshkallëzimit të situatës”.
Për ditën e martë, 18 nëntor 2025, parashikohen reshje të shtuara në të gjithë territorin e vendit: Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër do të përfshihen nga reshje intensive deri lokalisht shumë intensive.
Në Lezhë priten reshje intensive. Në Dibër, Durrës dhe Tiranë reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive.
Në qarqet e tjera priten reshje të dobëta deri mesatare.
Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin, duke rritur nevojën për kujdes në rrugë, zona të ulëta dhe përgjatë lumenjve.
Ministria e Mbrojtjes apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, për shkak të reshjeve intensive.
