Shqipëria bën një ndeshje të madhe për 70 minuta, anglezët na ndëshkojnë në fund me dy gola

Adriatik BALLA
Shqipëria mbylli eliminatoret e saj në vendin e dytë në grupin K për kualifikueset e Botërorit, ndërkohë që mbrëmë u mund në ndeshjen e fundit në grup nga Anglia me rezultatin 2-0. Në fakt, Shqipëria bëri një paraqitje spektakolare dhe dominuese në pjesën më të madhe të takimit, por në 15 minutat e fundit pësoi dy gola nga Herri Kejn, pa ja dalë të marrë rezultat përballë anglezëve.
Pjesa e parë
Anglia e nisi më mirë takimin, duke u hedhur menjëherë në sulm, por pa mundur ta befasojë përfaqësuesen tonë. Gjithsesi, në të 4’, Pas një harkimi nga e djathta, topi shkon te Rajs në zonë ku mesfushori e ul dhe gjuan menjëherë, por gjen përgjigjen e Strakoshës. Herri Kejn dhe shokët e tij përpiqen të befasojnë në të 10’, por gjejnë të përgatitur mbrojtjen kuqezi dhe krosimi në zonë i tyre spastrohet pa probleme. Loja në rritje nga të dy ekipet bëri që të jetë agresiviteti në mesfushë dhe në një frenim të kundërshtarit nga Ramadani gjyqtari i dha atij karton të verdhë. Në të 17’, Rajs gjuan fluturimthi por sfera përfundon mbi traversë. Loja vijoi duke u përmirësuar për tanët dhe një minutë më pas (18’) Hysaj lëshon me të majtën një goditje fluturimthi, por topi përfundon mbi tra. Pas këtij momenti Hysaj dëmtohet dhe lë fushën, duke u zëvendësuar nga Ivan Balliu. Në 36’, pati zbritje të shpejtë në anën tjetër, ku Bouen nga e djathta vë në provë reflekset e Strakoshës. Në minutën e 38-të, në ekzekutimin e një goditje nga këndi, Kuensah gjuan me kokë, por gjeti Strakoshën në pozicion. Pesë minutat e fundit të pjesës së parë folën tërësisht për kuqezinjtë, që e dominuan ndeshjen dhe e mbërthyen Anglinë në portën e saj, por pa mundur të shënojnë.
Pjesa e dytë
Pjesa e dytë u bë që në fillim të saj e jashtëzakonshme për tanët. Në të 47’ një pasim nga e djathta gjen Laçin në zonë në shtyllën e parë, devijimi i tij i lehtë nuk shqetëson portierin Henderson. Një minutë më pas, Hoxha merr topin mirë në të majtën, gjen hapësirë në qendër dhe gjuan, por Henderson i cili çon sferën në këndore. Në minutën e 50-të, ishte një zbritje e shkëlqyer e Bajramit nga e djathta, pasimi i tij gjen Hoxhën në anën tjetër, porHoxha e gjuan në duart e portierit. Më pas në fushë janë anglezët që krijojnë disa raste por Strakosha përgjigjet si duhet. Në minutën e 68-të, pati një aksion tëshkëlqyer individual të Hoxhës nga e majta, i cili driblon dy lojtarë dhe kroson në zonë me sferën që shkon te Bajrami. Gjuajtja e këtij të fundit është për e pasaktë. Por një goditje këndi nga anglezët bëri që të shndërrohet në gol për miqtë. Në minutën e 78-të, një pakujdesi i kushton Kombëtares.
Pas një goditje këndi, Aliji devijon topin në zonë duke e kthyer në asist për Kejn i cili nuk gabon para Strakoshës. 1-0 për anglezët, gjë që dekurajoi shumë kuqezinjtë në fushë. Në minutën e 82-të anglezët shënojnë edhe golin e dytë me të njëjtin autor, Herri Kejn, duke e “vrarë” ndeshjen. I gjendur i zbuluar në zonë, pas asistit të dhënë nga Rashford, Kejn shënon golin e dytë.Futja e Brojës në fushë rezultoi e pafat, pasi sulmuesi dëmtoi këmbën gjatë një kthese dhe u detyrua të linte fushën me barrelë. Minutat e fundit nuk patën ritëm dhe në fund fituan anglezët 2-0.Gjithsesi, Shqipëria bëri paraqitje të mirë, dhe meritë në këto eliminatore është vendi i dytë në grup, gjë që i jep të drejtën të shkojë në “play-off”.