16 Nëntor 2025
20:48
Telesport
Tenisti italian Jannik Sinner fitoi të dielën në mbrëmje turneun e ATP Finals (eventin ku marrin pjesë tetë tenistët më të mirë në botë). Në finale, ai triumfoi 2-0 (7-6, 7-5) ndaj spanjollit Carlos Alcaraz.
Një ndeshje mjaft e fortë, që vuri përballë dy tenistët më të mirë në botë. Përballë tifozëve të tij (turneu u zhvillua në Torino), Sinner ishte i pagabueshëm, duke arritur të bëjë diferencën në momentet vendimtare të cdo seti.
Në setin e parë, italiani triumfoi në “tie break”, ndërsa në të dytin arriti të rrëmbejë një “game” në shërbimin e spanjollit, duke arritur të fitojë ndeshjen, e cila zgjati 2 orë. Për Sinner ky është viti i dytë radhazi që fiton ATP Finals.
Gjithsesi, Alcaraz e mbyll vitin 2025 në krye të renditjes botërore, me një diferencë të ngushtë pikësh ndaj Sinner. Një dyshe që prej 2-3 vitesh po dikton në fushat e tenisit dhe që pritet ta bëjë këtë gjë për një periudhë të gjatë.
