Dr. Leonidha Peppo*
Para disa ditësh u zhvillua në Pogradec “Konferenca e Vjeshtës”, e quajtur kështu sepse ekziston një tjetër e ngjashme, “Konferenca e Pranverës”. Këto janë të dalluara nga konferencat e rregullta që zhvillon Shoqata e Kardiologjisë Shqiptare, por në to ftohen edhe bashkëkombës nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Dy konferencat e përmendura më sipër kanë diçka të veçantë, sepse zhvillohen në mënyrë të përbashkët, me drejtim dhe pjesëmarrje të lektorëve nga një vend i përbashkët – Shqipëria, por e ndarë në dy ose katër pjesë. Megjithatë, ne do të flasim për anën shkencore të konferencës, për përgjigjet që ajo solli dhe për mësimet që morën shumica e pjesëmarrësve.

Tematika ishte e gjithanshme, me përfundime të vlefshme nga lektorë të ndryshëm dhe me përvoja nga fusha të ndryshme. Vërtet, konferencat tona janë të dy shoqatave, por njerëzit aktivë që i drejtojnë ato janë profesionistë me emër, që japin ide dhe mendime për të zgjedhur temat e referimeve, në mënyrë që të jenë interesante, tërheqëse dhe shkencore, duke u dhënë mundësi mjekëve të mësojnë e të pasurojnë njohuritë e tyre.
Kryetari i Shoqatës së Kardiologjisë Shqiptare, Prof. Mihal Tase, i ka dhënë besim të plotë Prof. Mimoza Lezhës, duke njohur aftësitë e saj profesionale dhe organizative. Ajo është përshtatur shkëlqyeshëm ndër vite dhe ka punuar me përkushtim për realizimin e objektivave që kërkojnë këto konferenca të rëndësishme.
Një ndihmë të çmuar në këtë bashkëpunim jep edhe kardiologjia nga Kosova, përmes Prof. Gani Bajraktarit, i cili sjell dije dhe përvojë të gjerë për ngjarje të tilla.
Seanca e parë
Konferenca u zhvillua në dy seanca. Drejtues të seancës së parë ishin figura të njohura të kardiologjisë shqiptare nga të dy anët e ndarjes historike – një ndarje padrejtësisht e krijuar nga historia kontradiktore dhe forca e imponuar e shteteve të mëdha ndër shekuj.
Me shumë sukses, drejtues të seancës së parë ishin Prof. Mimoza Lezha, Prof. Mihal Tase dhe Prof. Gani Bajraktari, të cilët më pas morën pjesë edhe si lektorë me njohuri shkencore të admirueshme.
Temat e prezantuara ishin:
“Nxehtësia ekstreme dhe ndikimi në sistemin kardiovaskular”;
“Arteria e heshtur – rrezik për aterosklerozë apo udhërrëfyes për dislipidemitë sipas ESC 2025”, me referues Dr. Naltin Shuka;
“Deficiti i hekurit në insuficiencën kardiake – nevoja për korrigjim me marrjen e hekurit”, nga Prof. Pranvera Ibrahimi;
“Trajtimi i fibrilacionit atrial me ndërhyrje”, që tërhoqi shumë vëmendje nga mjeshtri Dr. Ormir Shurdha;
dhe “Sëmundjet e zemrës”, të sqaruara me shumë efikasitet nga Prof. Majlinda Cafka.
Të gjitha këto tema ishin shumë interesante, u pasuan me diskutime të shumta nga salla dhe u vlerësuan për larmishmërinë dhe prezantimin e rasteve klinike. Sigurisht, pati mendime dhe sqarime të rëndësishme që shtuan vlerën shkencore të konferencës.

Seanca e dytë
Seanca e dytë u drejtua nga Prof. Shpend Elezi (nga Kosova) dhe Dr. Naltin Shuka, ndërsa pjesëmarrja ndërkombëtare u pasurua me prezencën e Dr. Teftës nga Italia. Në këtë pjesë, u paraqitën raste klinike shumë interesante, ndër të cilat:
Dr. Endri Horja prezantoi një rast të ndërhyrjes në kardiomiopatinë e dilatuar, e cila u përmirësua ndjeshëm pas heqjes së një cisti me kirurgji, duke forcuar funksionin e zemrës.
Një temë tjetër e rëndësishme dhe treguese ishte “Ndërlikimet e procedurave koronare me SAK”, e trajtuar nga Prof. Mimoza Lezha dhe grupi i saj.
Mjekët e fushës koronare prezantuan temën “Ekografia e zbrazët për zhvillimin e rrugëve aksesore simptomatike”, që përfshinte edhe sindromën Brugada, të zbuluar pas përdorimit të medikamentit Propafenon, paraqitur nga Dr. Ormir Shurdha dhe kolegët e tij të shumtë.
Diskutimet nga të pranishmit i dhanë gjallëri konferencës dhe kontribuuan ndjeshëm në shtimin e dijeve, gjithmonë në funksion të përmirësimit të shërbimit ndaj pacientëve me sëmundje kardiake.
Mbështetja farmaceutike
Duhet përmendur edhe mbështetja e kompanive farmaceutike që veprojnë në të dy anët e ndarjes shqiptare, të cilat kontribuojnë me përkushtim në zhvillimin e shëndetësisë.
Ndër to spikasin kompani të njohura ndërkombëtare si Novartis, me përfaqësuesit e saj të kahershëm Orgesa, Liljana dhe Alba, që ndikojnë në rritjen e ndërgjegjësimit te Dislipidemive me perfaqesues ne trajtim ( Inclisiran). Po ashtu, Berlin Chemie, Menarini Group, Payami (i përhershëm në mbështetje), Trepharma, Bayer (me produktin Xarelto), Intermed, Viatris, Dompe, Novo Nordisk dhe të tjera, që japin një kontribut të rëndësishëm në fushën e mjekësisë, përmes ofrimit të medikamenteve cilësore dhe mbështetjes ndaj sistemit shëndetësor dhe mjekëve.
Përmbyllje
Kisha kënaqësinë ta ndaja praninë time në këtë konferencë me miqtë e mi të kahershëm, Dr. Gëzim Hakrama dhe Dr. Matjan Kapaj. Ishte një aktivitet i frytshëm, i pasur në përmbajtje dhe me vlerë të madhe për zhvillimin profesional të kardiologëve shqiptarë.
Shpresojmë për një të ardhme më të mirë, me bashkëpunim të vazhdueshëm, dije të përbashkëta dhe përparim të qëndrueshëm në fushën e shëndetësisë.
*Kardiolog
