Shaqiri tregon si e kërcënuan serbët pasi bëri shqiponjën në fitoren kundër tyre

Xherdan Shaqiri është njëri prej futbollistëve më të mirë në historinë e kombëtares zvicerane. Ka pasur shumë suksese në karrierë, por edhe momente për të cilat do të flitet gjatë. Një prej momenteve është festa me shqiponjën dykrenore pas shënimit të golit ndaj Serbisë në Kampionatin Botëror në vitin 2018 në Rusi. Festë të ngjashme kishte bërë edhe kapiteni i tanishëm i Zvicrës, Granit Xhaka. Me golat e Shaqirit dhe Xhakës, Zvicra kishte fituar 2:1. Ajo festë kishte bërë bujë nëpër media të shumta botërore. Në çështje diskutimi është kthyer edhe të enjten mbrëma kur Xherdan Shaqiri ishte i ftuar në emisionin “Gredig direkt”, në televizionin zviceran SRF. Shaqiri ka folur edhe për shumë tema të tjera. E ka përmendur edhe Përfaqësuesen e Kosovës, kthimin te Bazeli dhe fëmijërinë. “Shumë gjëra janë shkruar në atë kohë. Familjet tona dhe ne jemi provokuar jashtëzakonisht shumë nga serbët para ndeshjes së Kupës së Botës, sidomos në rrjetet sociale.
Kjo krijoi një ndjenjë të fortë te ne për të fituar, dhe në fund të fundit vetëm fitorja sportive kishte rëndësi për ne”, tha Shaqiri, i cili është me prejardhje nga Zhegra e Gjilanit, ndërsa ka luajtur me plot sukses në 125 ndeshje për përfaqësuesen helvetike. Ishte prej më të mirëve. Për shkak të prejardhjes së tij dhe vendit që e ka përfaqësuar, ndeshja mes Kosovës dhe Zvicrës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 18 nëntor, do të jetë e veçantë për Shaqirin. Kosova të shtunën luan në udhëtim ndaj Sllovenisë, kurse Zvicra e pret Suedinë. Zvicra ka 10 pikë, tri më shumë se Kosova. Nëse Kosova nuk humb nga Sllovenia dhe Suedia e mposht Zvicrën, në Prishtinë do të luhet finalja për vendin e parë në grupin kualifikues për Botëror. “Sigurisht se jam për të dyja, për Kosovën dhe Zvicrën. Por, do ta mbështes ‘Nati-n’ (ekipi përfaqësues i Zvicrës v.j)”, është shprehur Shaqiri.