Vinicius beson se Brazili do të fitojë Kupën e Botës vitin e ardhshëm me trajnerin Karlo Ançeloti

Adriatik BALLA
Brazili futet në kategorinë e “superfuqive” në futboll. Ai ka një skuadër të madhe të aftë dhe me kualitete të larta që mund të bëjnë diferencën në çdo ndeshje. Por problemi i Brazilit gjatë viteve të fundit ka qenë mungesa e një trajneri serioz dhe problemet e brendshme të grupit. ardhja e trajnerit Karlo Ançeloti duket se ka sjellë një situatë tjetër, por kjo pritet të verifikohet në javët e muajt e ardhshëm. Ndërkohë, Vinicius Junior lavdëroi ndikimin e Karlo Ançelotit te Brazili dhe i bëri thirrje ekipit të fitojë Kupën e Botës për t’u siguruar që puna e tij “të marrë vlerësimin që meriton”.
Ançeloti mori drejtimin e kombëtares së Brazilit në maj, pas largimit nga Real Madridi, ku e kishte stërvitur Viniciusin për katër sezone. Italiani deri tani ka drejtuar gjashtë ndeshje, duke fituar gjysmën prej tyre (1 barazim, 2 humbje), dhe ka ndihmuar Brazilin të sigurojë vendin në Kupën e Botës së vitit të ardhshëm. Megjithatë, pas kualifikimit, ata mundën Korenë e Jugut 5-0 në një miqësore përpara se të pësonin një humbje befasuese 3-2 ndaj Japonisë. Seleçao vazhdon përgatitjet me miqësore kundër Senegalit dhe Tunizisë, dhe Vinicius beson se do të jenë mundësi të tjera për të parë se si Brazili po ndërton mbi udhëzimet që u ka dhënë Ançeloti. “Me Ançelotin, ne po evoluojmë dhe po ndërtojmë një identitet të qartë loje,” tha Vinicius për kanalet zyrtare të CBF-së. “Gjetja e atij balanci para Kupës së Botës do të jetë vendimtare. Të gjithë duhet të futemi në mentalitetin e Kupës së Botës dhe të kuptojmë se mundësia jonë ka ardhur.”
Brazili e ka fituar Kupën e Botës pesë herë, por triumfi i fundit në këtë kompeticion erdhi në vitin 2002. Në Katar, ata u eliminuan në çerekfinale nga Kroacia pas penalltive, por Vinicius thotë se Brazili tani ka besim të rinovuar – dhe e gjitha kjo falë Ançelotit. “Ai ka bërë të njëjtën gjë kudo që ka shkuar – ka sjellë besim dhe ka nxjerrë më të mirën nga çdo lojtar në pozicionin e tij ideal,” shtoi Vinicius. “Ai gjithmonë thotë se ëndrra e tij është t’i bëjë njerëzit brazilianë të lumtur, t’i rikthejë futbollit tonë gëzimin që na karakterizon, dhe të fitojë Kupën e Botës. “Ai na jep qetësi dhe besim. Na kujton se ne tashmë kemi pasionin dhe intensitetin për të veshur këtë fanellë – dhe ky është pjesa më e vështirë. Ne thjesht duhet të fitojmë që puna e tij të marrë vlerësimin që e meriton”, theksoi më tej sulmuesi brazilian i Realit të Madridit, i cili ka pasur edhe vetë probleme tek klubi spanjoll.