Verifikimi i mandateve nuk është bërë i mundur sot, duke çuar në ndërprerjen e seancës së Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i seancës konstituive të parlamentit, Avni Dehari, tha se do të njoftojë presidenten Osmani për situatën e krijuar.Lexo edhe :Related Posts
“Për shkak të rrethanave të krijuara, meqë raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme. 52 deputetë pro , 46 kundër dhe 11 kanë abstenuar. Në bazë të kësaj, konstatojmë se raporti i Komisionit të Përkohshëm nuk kalon. Në këto rrethana detyrohem ta ndërpresin seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten se si do të veprohet në të ardhmen”, tha ai.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës Albin Kurti nëpërmjet një letre drejtuar kryetarit aktual të Kuvendit Glauk Konjufca, bëri të ditur dorëheqjen.
“Që nga 23 marsi kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar i qeverisjes sonë, qeveria është në detyrë/dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KQZ me datë 27 mars 2025, dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me kabinetin qeveritar”, thuhej në letrën e kryeministrit Kurti.
Por sipas liderëve të opozitës Kurti është në shkelje të Kushtetutës dhe kjo sipas tyre është arsyeja që PDK, LDK dhe AAK votuan kundër certifikimit të mandateve.
“Aktualisht në të njëjtën kohë që nga kryeministri Kurti e të gjithë ministrat që janë zgjedhur deputetë po tentojnë që të mbajnë edhe pozitë ekzekutive e edhe legjislative, që ua ndalon Kushtetuta e Kosovës. Kushtetuta e thotë qartë që nuk mund të behësh deputetët nëse je në pozicion ekzekutiv”, tha kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Ky është episod i errët në demokracinë parlamentare. Nuk mund të jesh edhe deputet edhe kryeministër e edhe ministër. Një njeri që jep dorëheqje nuk vazhdon punën si kryeministër I Kosovës. LDK mbështet nëse deputetët janë vetëm deputet”, tha kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Por kryeministri në detyrë Albin Kurti e quajti “sulm brendainstitucional kundër Republikës së Kosovës” mosvotimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.
“Deputetët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë”, tha Kurti.
Kjo situatë bën që Kosova të vijojë të jetë në një kaos politik, ndërsa bëhet edhe më i vështirë krijimi i institucioneve të reja të vendit./vizionplus.tv
