Matthäus i jep këshilla publike Kompany: Müller duhet të luajë titullar ndaj Interit, ndryshe…

Në vigjilje të sfidës së kthimit mes Interit dhe Bayern Munich, që vlen një vend në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, legjenda gjermane dhe ish-lojtari i të dyja skuadrave, Lothar Matthäus, ka folur për “SkySportDE: “Për Bayernin është një ndeshje me shumë peshë në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.
Prandaj, mendoj se Müller duhet të jetë titullar kundër Interit. Ai duhet të luajë, për mua çdo alternativë tjetër është e pamendueshme. Nëse Kompany nuk e zgjedh Müller dhe gjërat shkojnë keq, atëherë trajneri, që ka bërë një punë të shkëlqyer muajt e fundit, do të përballet me momente të vështira”.
Më tej, ish-kampioni i botës komentoi edhe për mbrojtjen dhe ndeshjen e parë: “Nuk do të ndryshoja shumë në mbrojtje, Kim ndonjëherë bën gabime, por ka treguar se për çfarë është i aftë. Javën e kaluar, Bayerni tregoi se ishte skuadra më e mirë.
Problemi, ashtu si ndaj Dortmundit, ishte konkretizimi i rasteve. Nëse çdo gjë funksionon, Bayerni mund ta përmbysë disavantazhin prej një goli në çdo ndeshje. Në çerekfinalen e parë munguan vetëm disa detaje”.
Në fund, Matthäus doli në mbrojtje të Harry Kane: “Ai goditi shtyllën, gjërat nuk po i shkojnë mirë, por nuk do ta quaja në krizë. Kane e di ku është porta dhe do të shënojë sërish për Bayernin, shpresojmë që të ndodhë të mërkurën”.