Botërori i vitit të ardhshëm, do të jetë i fundit për Cristiano Ronaldon, me fanellën e Portugalisë.
Në një intervistë për CNN, kapiteni i Portugalisë konfirmoi se Botërori i ardhshëm do të jetë i gjashti dhe njëkohësisht i fundit për të. Turneu do të zhvillohet verën e ardhshme në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, dhe Portugalia është shumë pranë sigurimit të pjesëmarrjes në fazën finale.
Ronaldo, i cili ka mbushur 40 vjeç, deklaroi se ndonëse ndjen se trupi i tij është ende në gjendje të mirë fizike, po i afrohet fundit të rrugëtimit të gjatë në futbollin profesionist.
Ai theksoi se synon të largohet nga fusha e lojës brenda një ose dy vitesh. Kapiteni portugez ndodhet aktualisht pranë arritjes së një tjetër objektivi personal, shifrës simbolike prej 1,000 golash të shënuar në karrierë, mes klubesh dhe kombëtares.
“Kupa e Botës 2026 do të jetë padyshim Botërori i fundit për mua . Do të jem 41 vjeç atëherë. Në futboll përpiqem ta shijoj çdo moment në maksimum. Për 25 vjet kam bërë gjithçka. Mbaj shumë rekorde, si në nivel kolektiv ashtu edhe në atë kombëtar. Jam vërtet i lumtur, kështu që dua të jetoj të tashmen dhe ta shijoj atë.
Dua të vazhdoj, sepse ndihem mirë dhe trupi im është në formë të mirë. Qëllimi im në futboll është i njëjtë me atë në jetë, që është t’i bëj njerëzit të lumtur. Le të jemi të sinqertë, megjithatë, kur them se do të dal në pension së shpejti, dua të them pas një ose dy vitesh”, deklaroi Ronaldo.
E papritur/ Ronaldo i jep fund zërave: Ja kur do të tërhiqem nga futbolli
