Anekdota e Behramit për Mido te West Ham: Bënte jetë nate dhe flinte në “Rolls Royce” para stërvitjes

Valon Behrami ka pasur një karrierë të gjatë dhe ka ndryshuar shumë ekipe e kampionate. Dy përvojat e tij në Premier League kanë qenë me Watford dhe West Ham.
Pikërisht duke iu referuar aventurës me West Ham, ish-lojtari i kombëtares zvicerane ka treguar një anekdotë zbavitëse që lidhet me ish-shokun e tij të skuadrës, egjiptianin Mido.
Ky i fundit qëndroi vetëm një sezon te “çekanët”, por arriti të bëhej i njohur për stilin e veçantë të jetesës.
“Ai flinte në makinë pas netëve që kalonte jashtë, në lokalet e natës, – ka treguar Behrami në një intervistë për “RSI Sport”. – Te West Ham kisha një bashkëlojtar, ‘mbretin’ Mido. Ishte në fund të karrierës. Trajneri Grant ishte shumë liberal, edhe po të vije me vonesë, mbyllte një sy. Unë e shihja Mido çdo mëngjes që vinte me shofer në një ‘Rolls Royce’, por gjithmonë ishte i pari në fushë. Një ditë parkova pranë këtij ‘Rolls Royce’ dhe kur pashë brenda, ishte ai që flinte me sediljet e shtrira”.
“I thoja shoferit, pas natës që kaloja jashtë: më ço direkt te fusha, se ndryshe do vonohem”, – i kishte shpjeguar egjiptiani Behramit pse e gjente gjithmonë duke fjetur në makinë.
Kjo ishte rutina e Mido, sipas Behramit: “Pas festave deri në gjashtë të mëngjesit, duheshin rreth një orë me makinë për të mbërritur në qendrën stërvitore. Në 7 ishte aty, flinte në parking, me shoferin që rrinte aty, makina ndezur”.
Mido qëndroi te West Ham vetëm për disa muaj; mbërriti në janar dhe u largua në fund të sezonit. Në gjysmë sezoni, vetëm 9 paraqitje dhe 493 minuta në fushë për egjiptianin, por nga tregimet e Behramit duket se ai është argëtuar mjaft gjatë qëndrimit të tij në Londër.