14 Prill 2025
17:48
Telesport
Humbja 1-2 e Bayern në shtëpi kundër Interit ishte e dhimbshme për bavarezët. Ata nuk e prisnin këtë disfatë, duke qenë se “Allianz Arena” për ta shërben si fortesë e palëkundshme.
Zikaltrit u treguan shumë efikasë dhe të qëndrueshëm, duke dhënë leksione se si mund të fitohet në një transfertë të vështirë dhe në nivelet më të larta të futbollit europian.
Mesjava po vjen dhe Bayern tashmë do të tentojë kualifikimin. I duhet minimalisht një gol për të shkuar të paktën në shtesë, por Interi dihet se është ekspert në mbrojtje.
Trajneri Kompany ka një plan që as vetë nuk priste të ndodhte në këtë fazë të sezonit. Serge Gnabry mund të jetë sekreti për kualifikimin.
Ndeshja e fundit me Dortmundin tregoi se sulmuesi gjerman është zgjuar nga gjumi. Pas dy sezonesh të vështira, ai dha sinjal se po kalon javë të mira.
“Ka disa javë që Serge është shumë mirë fizikisht. Kur fizikisht ndihet mirë, nuk e ndal dot askush”, tha Joshua Kimmich në fundjavë.
Kompany po mendon që ta nisë ndeshjen me Muller si titullar, për ta zëvendësuar pas 45 minutave të para me Gnabry. Freskia e tij do të jetë plani për të shënuar një gol barazimi ose dy gola kualifikimi.
