Tirana vijon të humbasë, Elbasani merr kryesimin nga Vlora pas një sherri masiv mes tifozerive

Adriatik BALLA
Java e dhjetë e Kategorisë Superiore, e cila korrespondon me xhiron e parë të fazës së dytë, ka nisur me befasi të shumta. Në fakt, kjo xhiro duket se po sjell rivalitetin e garës në pikën kur ka tension, gjë që u shpreh dje në duelin midis Flamurtarit dhe Elbasanit si dhe mes Dinamos dhe Teutës. Në Vlorë dhuna mbërtheu dy tifozeritë në sherr masiv me gurë e stola, çka u desh ndërhyrja e policisë. Luhet për çdo pikë dhe natyrisht ka edhe tension, sikurse e shprehu dje dueli mes Flamurtarit dhe Elbasanit fituar nga këta të fundit që morën edhe kryesimin e përkohshëm të garës.
Tirana në pikiatë, s’ndikon as trajneri i ri
Tirana po vijon të vuajë dhe tani rrezikon të zhytet në thellësitë e renditjes e mund të rrezikojë rënien nëse nuk reflekton në kohë. Dje ishte disfata e radhës, pavarësisht se ndryshoi trajnerin. Ikën një teknik e vjen tjetri por rezultatet mungojnë. Duket qartë se ka një ngërç të brendshëm që nuk e lë Tiranën të dalë në natyrën e saj si skuadër e madhe e me pretendime. Kështu, emërimi i Ardijan Nuhiut në stolin e Tiranës pritej të jepte shenja jete për bardheblutë, por ata për momentin janë shumë larg asaj që pretendojnë në klub. Skuadra kryeqytetase është mundur sot në shtëpi me shifrat 2-0 nga Bylisi, pas një ndeshje shumë të dobët. Ballshiotët dominuan sfidën, edhe falë faktit se gjetën shpejt golin e avantazhit pas një dhuratë të Dembele. Ata shpërdoruan raste të shumta për të shënuar, derisa e ndihmoi vetë Tirana të siguronte tre pikët me autogolin qesharak të Vera. Kësisoj, Bylisi i largohet edhe më shumë zonës së ftohtë, ndërsa Tirana mbetet më e rrezikuar se kurrë për të rënë nga kategoria.
Elbasani merr kryesimin nga Vlora
Elbasani ka mposhtur Flamurtarin në sfidën e vlefshme për javën e dhjetë të Superiores. Goli i Lajthisë në pjesën e dytë i dha 3 pikë të arta verdhebluve në transfertën e Vlorës. Sfida ishte mjaft e luftuar, ndërsa tension kishte edhe në shkallët e stadiumit mes dy tifozerive. Lajthia ishte ai që gjeti rrjetën pas goditjes me kokë. Flamurtari ndërkohë pati disa pretendime për penallti, ndërsa një e tillë iu akordua nga gjyqtar Albert Doda në minutën e 81-të. VAR ndërhyri dhe pas rishikimit të rastit, Doda vendosi të ndryshonte vendimin e fushës. Pas dhjetë javësh, Flamurtari mbetet në vendin e fundit me 5 pikë. Në anën tjetër Elbasani ka marrë kreun e renditjes me 20 pikë. Për t’u luajtur është ndeshja nesër mes Egnatias dhe Vllaznisë.
Dinamo e Teuta krijojnë tension, por pa rezultat
Dinamo dhe Teuta kanë ndarë pikët në barazimin pa gola mes tyre në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena”. Ka qenë një ndeshje e luftuar në çdo cep të fushës dhe shpesh me lojë të ashpër, por me pak raste në të dy portat. E ndërsa rastet mungonin, nuk kanë munguar polemikat dhe kontestimet ndaj gjyqtarit Klodian Prenga. Ishin dinamovitët që kontestuan vazhdimisht mungesën e kartonëve të verdhë për ndërhyrjet e kundërshtarëve, ashtu si edhe të kuqin që dha për Maliqin. Në fund, nga një pikë për secilën skuadër, që shërben për të mos humbur kontaktin me grupin e kreut dhe i mban plotësisht në garën për katërshen e parë.
Superiore/ Java 10
Të hënën
Tirana-Bylis                 0-2
Dinamo-Teuta            0-0
Flamurtari-Elbasani    0-1
Të martën
Egnatia-Vllaznia         16:00
Vora-Partizani             16:00
Renditja
Nr.Skuadra    Pikë
1.Elbasani        20
2.Vllaznia        19
3.Dinamo        18
4.Egnati           18
5.Teuta            15
6.Bylis             12
7.Vora             10
8.Partizani       8
9.Tirana           6
10.Flamurtari   5