Njohja e Kosovës, ja çfarë fshihet pas kthesës së papritur të Sirisë

Njohja e Kosovës nga Siria fundjavën e kaluar shënon një moment të rëndësishëm pas një viti nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assad, i cili për një çerek shekulli kundërshtoi njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ky veprim është interpretuar si një kthesë e rëndësishme në politikën e jashtme të Sirisë dhe një hap përpara në ripozicionimin e saj në marrëdhëniet rajonale dhe globale. George Meneshian, drejtues i Grupit për Lindjen e Mesme në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare (IDIS), thekson se njohja e Kosovës është rezultat i ndikimit të mbështetësve të rinj të Sirisë, si Arabia Saudite dhe Turqia, të cilët kanë luajtur një rol kyç në formimin e diplomacisë së qeverisë tranzitore të Damaskut dhe në përcaktimin e orientimit të ri strategjik të vendit.
“Njohja e Kosovës përmirëson imazhin ndërkombëtar të Sirisë, duke pasur parasysh mbështetjen tradicionale të Kosovës nga aktorët perëndimorë si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian,” thotë Meneshian, duke shtuar se ky hap është një largim i qartë nga politika e jashtme e regjimit të mëparshëm sirian, e cila ishte e lidhur ngushtë me interesat e Rusisë dhe Iranit. Po ashtu, ai shpjegon se qeveria tranzitore siriane synon të forcojë legjitimitetin e saj pas rrëzimit të Assadit dhe t’i tregojë botës se Siria mund të jetë një partner i besueshëm. Përveç këtyre konsideratave ndërkombëtare, njohja e Kosovës është gjithashtu një veprim që mund të forcojë mbështetje të brendshme për qeverinë siriane, duke pasur parasysh se shumica e popullatës e Sirisë është myslimane. “Lidershipi sirian mund të kënaqë mbështetësit e tij islamistë duke qëndruar pranë një shteti tjetër me shumicë myslimane,” shton Meneshian.