Medon Berisha shkëlqen dhe i jep fitoren Leçes, Hebaj dygolësh në Uzbekistan

Adriatik BALLA
Lojtarët e përfaqësueses kuqezi patën një performancë cilësore në fundjavën që lamë pas, duke bërë paraqitje cilësore me klubet e tyre e një pjesë patën edhe statistika spektakolare, me asiste e gola. Por padyshim dje ishte ditë e rëndësishme, me fitore dhe plot triumf për lojtarët shqiptarë që luajnë për Leçen, si Medon Berisha dhe Ylber Ramadani. Dy mesfushorët bënë paraqitje vërtet mbresëlënëse. Nga ana tjetër, Rubin Hebaj në Uzbekstan duket i abonuar me dygolëshat, pasi shënoi sërish dje.
Shqiptarët e Leçes dominues në fushë
Leçe fitoi me rezultatin 0-1 ndaj Fiorentinës. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Medon Berisha, ndërsa bashkë me Ylber Ramadanin luajtën nga minuta e parë. Pas ndeshjes, Berisha u vlerësua nga Seria A si lojtari më i mirë. “Sofacore” po ashtu, me vlerësimin 7.9, i dha notën më të lartë për ndeshjen. Ramadani pati gjithashtu një vlerësim pozitiv, pikërisht 7.2. “Përshëndetje tifozët e Leçes, këtë fitore dua t’ua dedikoj juve. Poo! Forca Leçe”, u shpreh Berisha pasi tërhoqi çmimin e Seria A. Berisha pati tri goditje ku një prej tyre përfundoi në portë. Ramadani po ashtu e goditi një herë portën. Berisha pati tre pasime kyç, dhe dy duele të fituara nga katër. Ramadani spikati me tetë duelet e tij të fituara, nga 13 ku u përfshi. Më tej pati edhe tri ndërhyrje në top dhe pastrime. Topa të gjatë prej tij u konkretizuan 6 nga 12. Siç duket, shqiptarët e Leçes janë baza e kësaj skuadre dhe kanë performancë të lartë, gjë që i vlerëson edhe media sportive italiane.
Hebaj dygolësh në Uzbekistan
Shkodrani Rubin Hebaj vazhdon të shkëlqeje në kampionatin e Uzbekistanit, ku është bërë pjesë e Sogdiana pas merkatos së verës. Sulmuesi shqiptar ka gjetur sot edhe dy herë të tjera rrjetën, duke çuar në 5 bilancin e tij me këtë klub në 10 ndeshje të luajtura. Në sfidën e sotme ndaj Qizilçum, Hebaj ishte ai i cili çoi shifrat ne 2-0 në minutë e 34-t, duke finalizuar një kundërsulm të shpejtë. Më pas, sulmuesi i vendosi vulën rezultatit 3-0, duke shënuar ne minutën e 53-të një tjetër gol me një gjuajtje në kufijtë e zonës. Sulmuesi shkodran, kampion në Superiore me Partizanin e Teutën, ka çuar kësisoj në 7 numrin e golave të shënuar në kampionatin e Uzbekistanit në këtë edicion, ku pjesën e parë e kaloi si pjesë e Nasaf Qarshi.
Bajrami gjen golin e parë në Zvicër
Ndërkohë që Ramadani e Berisha bëjnë punë cilësore me Leçen dhe Shqipërinë, duket se një tjetër shqiptar bëri paraqitje të mirë por e ka “tradhtuar” Shqipërinë. Adrian Bajrami i befasoi të gjithë, pasi mori ftesë nga Kombëtarja për ndeshjet e shtatorit dhe vendosi të mos e pranonte. 23-vjeçari komunikoi vendimin për t’u larguar, pasi kishte zgjedhur të përfaqësojë Zvicrën. Këtë sezon është i huazuar nga Benfika te Lucern. Dje, ndërkohë, ka shënuar golin e tij të parë me klubin zviceran. Lucerna po përballet me Grasshopers, ndërsa goli i Bajramit erdhi në minutën e 27-të. Vetëm pak më vonë u ndëshkua me karton të verdhë, ndërsa pjesa e parë u mbyll me avantazhin 3-0 të vendësve.