Hapja e fushatës së LVV për raundin e balotazhit/ Kurti thirrje qytetarëve: Mos votoni ata që nuk duan punën

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur fjalën e tij në tubimin e hapjes së fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet lokale 2025, raundi i balotazhit. Në nisje të fjalimit, Kurti përshëndeti në veçanti qytetarët e komunave ku do të ketë balotazh. Ai u shpreh më tej se rritja e LVV në këto zgjedhje lokale ishte e ngadaltë por e sigurt.
Kryeministri shprehu siguri se qytetarët në balotazh do të votojnë Vetëvendosjen si forca politike që për vendin synon modernizimin dhe zhvillimin. Gjatë fjalës së tij, ai i bëri thirrje qytetarëve të mos votojnë ato kandidatë që nuk e duan punën, pasi sipas tij ato nuk sjellin zhvillim.
“Lëvizim me ide dhe dije dhe studime. Këto zgjedhje janë për qytetarët e atyre komunave që kanë shkuar në balotazh. Ata kanë mundësinë të vulosin ndryshimin. Të votoni për atë parti e cila në nivelin qendror i ka rritur ndjeshëm pagat, pensionet e bursat për student. Ndërkaq niveli lokal kudo ku këmi qeverisur kemi investuar shumë më shumë se paraardhësit tanë,. Prej raundit të parë fituam tre komuna e kaluam në balotazh në 12 komuna të tjera më shumë se sa cdo parti tjeter. Rritja jonë në zgjedhjet lokale ka qenë e ngadaltë por e sigurt. Keni për të parë se ky popull do tju befasojë në balotazh dhe do të votojë kundër bllokimeve të prapaskenës, sepse ne duam hapjen e modernizimin dhe zhvillimin e punën. Ne kemi premtuar dhe do të mbajmë fjalën 1 mliardë euro investime në komuna. Por ju e dini unë nuk e jap buxhetin e shtetit dhe paratë e taksave për ata kryetarë të cilët nuk dinë të punojnë mirë apo për ata që vjedhin. Mos i votoni ata që nuk dinë dhe nuk duan punën, e as ata që dinë e duan vjedhjen. Me ata nuk ka zhvillime as investim.”, u shpreh Kurti ndër të tjera.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi listën e votuesve për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, i cili do të zhvillohet në 18 komuna. Komunat ku do të ketë balotazh janë Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti. Raundi i dytë do të mbahet më 9 nëntor 2025. Sipas vendimit të KQZ-së, për këtë raund do të shtypen 1.158.015 fletëvotime – rreth 16 % më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund.