Aksident automobilistik për ish-kampionin e botës në UFC, makina e tij përmbyset në rrugë pas përplasjes

1 Nëntor 2025

20:28

Telesport

Ish-kampioni i botës në peshën “flyweight” (pesha deri 57kg) në artet marciale mikse, braziliani Deiveson Figueiredo, pësoi një aksident të frikshëm me makinë në vendlindjen e tij. Mësohet se ngjarja ka ndodhur të enjten dhe pamjet e një makine të përmbysur qarkullojnë në rrjetet sociale.
Për fat të mirë, sportisti 37-vjecar nuk ka pësuar asnjë dëmtim dhe është mirë. Vetë Figueiredo tha se po ecte me makinën e tij në një rrugë lokale në qytetin e Belémit kur ndodhi përplasja, duke pretenduar se një grua dukej se ishte “me shumë nxitim” dhe po e ngiste makinën e saj “me shpejtësi të lartë” para përplasjes.
Figueiredo, në një postim tha: “Falë Zotit që jemi mirë. Edhe pala tjetër e përfshirë në aksident është gjithashtu mirë”. Nuk është ende e qartë nëse dikush ishte në makinë me luftëtarin brazilian të UFC-së. Ai ka një rekord prej 25 fitoresh, 5 humbjesh e 1 barazim në artet marciale mikse.