Salah hyn në histori, askush tjetër si ai në Premier League me 20 skuadra

14 Prill 2025

8:47

Alfred Lleshi

Mohamed Salah po bëhet gjithnjë e më shumë legjendë, jo vetëm për Liverpool-in, por edhe futbollin anglez në përgjithësi. Në ndeshjen e djeshme, të fituar 2-1 ndaj West Ham, ylli egjiptian nuk shënoi, por kontribuoi në fitoren e skuadrës së tij, duke dhuruar asistin për golin e parë të Luis Diaz. Ky ishte asistimi i tij i 18-të në këtë sezon, një tjetër dëshmi se Salah është jo vetëm finalizues i frikshëm, por edhe ndërtues loje i klasit të lartë.
Asisti i djeshëm e fut edhe më shumë në historinë e Premier League. Me këtë pasim vendimtar për Diaz, egjiptiani arriti 45 gola dhe asistime të kombinuara në kampionat, këtë sezon. Që prej vitit 1995, kur Premier League kaloi në formatin me 20 skuadra, askush nuk i kishte arritur ndonjëherë këto shifra të pabesueshme. Salah tashmë ka kaluar Thierry Henry (24 gola dhe 20 asistime me Arsenalin në sezonin 2002/03) dhe Erling Haaland (36 gola dhe 8 asistime me Manchester City në sezonin 2022/23).
Nëse marrim parasysh edhe sezonet kur kampionati anglez kishte 22 skuadra, vetëm dy lojtarë kanë bërë më mirë se ai: Alan Shearer (me Blackburn në sezonin 1994/95) dhe Andy Cole (me Newcastle më 1993/94), të dy me 47 gola dhe asistime të kombinuara. Duke qenë se Salah ka ende 6 ndeshje në dispozicion, ka një mundësi reale t’i kalojë edhe këta të dy dhe të shtojë një tjetër rekord në një sezon që tashmë është për t’u futur në histori.