Nga çështja “Vlahoviç” te merkato, Juventusi kërkon një “regjisor”

Drejtuesit e Juventusit nuk kanë ndërmend të nxitohen në merkato, por ardhja e Luçiano Spaletit ka hapur diskutimet për përforcime të mundshme në janar.
Trajneri i ri kërkon kohë për të njohur mirë skuadrën, por tashmë kanë nisur reflektimet mbi nevojat reale të ekipit dhe sistemin e lojës që do të përdoret. Çështja më e ndjeshme është ajo e Dushan Vlahoviç, kontrata e të cilit përfundon në qershor. Sulmuesi serb ka qenë protagonist në këtë fillim sezoni, por e ardhmja e tij mbetet e paqartë. Pagat e larta dhe mungesa e rinovimit e bëjnë të mundshme një shitje të mundshme gjatë merkatos dimërore, në mënyrë që klubi të shmangë largimin me parametra zero.
Megjithatë, Spaleti e vlerëson lojtarin dhe nuk dëshiron të humbasë një qendërsulmues të tillë në mes të sezonit. Vendimi përfundimtar pritet të merret në varësi të formës së skuadrës dhe renditjes në kampionat pas ndeshjeve të dhjetorit. Nga ana tjetër, stafi teknik po analizon mundësinë për të shtuar një regjisori të pastër në mesfushë, i aftë të japë ritëm dhe qartësi në ndërtimin e lojës. Emri i përforcimit do të varet nga moduli që Spaleti do të konfirmojë 4-3-3, 4-2-3-1 apo ndonjë variant me tre mbrojtës.
Nëse trajneri zgjedh të luajë me krahë ofensivë, prioriteti i merkatos do të bëhet një sulmues anësor, i aftë të japë thellësi dhe shpejtësi. Drejtuesit janë të vetëdijshëm se për të përballuar fazën e dytë të sezonit do të nevojitet më shumë cilësi dhe rotacion. Për momentin, merkato mbetet në fazë analize, por sinjalet janë të qarta: Juventus po mendon për ndërhyrje të mençura dhe të balancuara, në përputhje me idetë e trajnerit të ri.