Nga Selim Hoxhaj, Konsulli Nderi i Republikës së Bullgarisë në Shqipëri
Më 1 Nëntor, Bullgaria kremton Ditën e Rilindasve të shquar të vendit. Kjo ditë i kushtohet veprimtarëve të mëdhenj të Rilindjes bullgare, luftëtarëve për çlirimin kombëtar, të cilët ruajtën gjatë shekujve vlerat shpirtërore dhe morale të kombit. Kjo është festa, që bashkon të gjithë bullgarët dhe i ndihmon ata të ruajnë identitetin, gjuhën dhe kulturën e vet.
Për herë të parë kjo festë është kremtuar ne qytetin jugor bullgar, Pllovdiv, në mënyrë jo zyrtare, në vitin 1909, kurse në vitin 1922 ministri i atëhershëm i arsimit popullor, Stojan Omarcevski bëri propozim në Këshillin e Ministrave për caktimin e 1 nëntorit si Ditë e Rilindasve të Shquar të popullit. Prej 1 nëntorit të vitit 1923, me dekret të mbretit Boris i lll kjo ditë është përfshirë në kalendarin mbarëkombëtar të festave. Në periudhën e regjimit komunist nuk festohej, por tradita u rivendos pas ndryshimeve demokratike me propozimin e Shoqatës së Përgjithshme popullore “Mati Bollgaria”. Festimi zyrtar u rinovua me ligj, që u miratua nga Legjislatura e 36-të e Parlamentit bullgar më 28 tetor 1992.
Data 1 nëntori nuk është zgjedhur rastësisht si Ditë e Rilindjes apo iluministëve të popullit. Në këtë datë, sipas kalendarit të vjetër, nderohej kujtimi i mbrojtësit të popullit bullgar- shenjtorit Joan Rilski. Zakonisht këtë ditë përmendim emrat e personaliteteve të shquar qysh nga Mesjeta, siç janë për shembull i biri i khanit Omurtag-Bojan Enravota-martiri i parë bullgar për kauzën e krishterimit, sunduesi princi Boris I-rë, i cili e pagëzoi popullin bullgar në fenë të krishtere, ose udhëheqësi shpirtëror i bullgarëve Patriku Evtimij i Tërnovos.
Nga veprimtaret e Rilindjes ndër të parët përmendet murgu nga Mali i Shenjte, Antoni Paisij Hilendarski, i cili shkroi “Historinë sllavo-bullgare” në vitin 1762. Ky libër pati një rol jashtëzakonisht të madh për rizgjimin e ndërgjegjes kombëtare bullgare në vitet e sundimit Osman.
Midis tyre janë shenjtori Ivan Rillski, letraret nga mesjeta, klerikët katolikë Pjeter Bogdan dhe Peter Peçeviç, peshkopi Vracanski dhe mësuesit Rajno Popovic, Sara Dobroplodni, Sava Filaretov, Dobri Cintulov, folkloristët e shquar, vëllezërit Miladinov, etj.
Ndër personalitetet e tjerë të mëdhenj janë ikonografi i shquar Zaharij Zograf; dr. Peter Beron–autori i abetares së parë bullgare; shumë botues të librave, njerëz të penës, mendimtarë dhe frymëzues të Rilindjes Kombëtare Bullgare dhe të ndërgjegjes qytetare.
Ndër veprimtaret e shquar të Rilindjes Bullgare janë dhe luftëtarët për liri, mijëra luftëtarë të njohur dhe të panjohur, aktivistë dhe vojvodë të lëvizjes së organizuar revolucionarë, siç janë: Haxhi Dimitër dhe Stefan Karanxha, udhëheqësit e lëvizjes nacional-çlirimtare Gjeorgji Rakovski, Apostulli i lirisë Vasil Levski, Hristo Botev, Gjeorgji Benkovski, Panajot Volovi dhe shumë të tjerë.
Iluministët më të mëdhenj shpirtërorë të popullit bullgar janë dhe shkrimtarët e poetët bullgare Petko Sllavejkov, Ivan Vazov, Penco Sllavejkov, Pejo Javorov, Dimko Debeljanov, Hristo Smirnenski, Simeon Radevi, Nikolla Vapcarov, Dimiter Talev, etj. Janë gjithashtu dhe mijëra murgj, mësues, historianë, të cilët jetën dhe veprimtarinë e tyre ia kushtuan zgjimit dhe prparimit të popullit.
Në këtë mënyrë 1 Nëntori është kthyer në një nga ditët më të festuara të shpirtit dhe vetëdijes bullgare, është bërë simbol i zgjimit shpirtëror, që fillon me lëvizjet e fuqishme për pavarësinë dhe arsimimin bullgar gjatë epokës së Rilindjes Bullgare. Këto lëvizje kontribuuan për luftërat e popullit bullgar për pavarësi politike.
Të gjithë kleriket, mësuesit, veprimtaret shoqërore dhe revolucionarët punuan për pavarësinë fetare, arsimuese, kulturore dhe politike të bashkatdhetarëve të vet. Tani, pas më shumë se 147 vjet nga çlirimi prej zgjedhës otomane më 1878, dhe 117 vjet nga fitimi i Pavarësisë në vitin 1908, si inteligjenca ashtu dhe i gjithë populli e kuptojnë trimërinë dhe burrërinë e të gjithëve, të cilët e lartësojnë shpirtin e bullgarëve.
Më 1 Nëntor çdo bullgar, pavarësisht nga fakti se ku ndodhet–në atdhe ose diku nëpër botë, bën bilancin e vet se cili është kontributi i tij për ruajtjen e shpirtit bullgar. Iluministët dhanë shembullin e vet, kurse brezat e sotëm kanë detyrën të ruajnë atë që është arritur dhe ta çojnë më tej, sepse vetëm lartësimi shpirtëror mund ta ruajë identitetin e popujve.
Kur përkujtojmë veprimtaret e shquar të Rilindjes Kombëtare Bullgare mendja na shkon edhe tek veprimtaret e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, te ideologët dhe veprimtarët e shquar si: Naum Veqilharxhi, Zef Jubani; aktivistët e Komitetit të Stambollit dhe të Lidhjes së Prizrenit, si vëllezërit Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Kostandin Kristoforidhi, Jani Vreto, veprimtarët e shoqatave kulturoro-arsimore të kolonisë shqiptare në Bullgari (“Dëshira“ në Sofje), Rumani dhe Egjipt, patriotët dhe demokratët e shquar nga fillimi i shekullit të 20-të, si Ismail Qemali, Fan Noli, Bajo Topulli, Luigj Guraguqi, Hasan Prishtina etj.
Shoqata “Dëshira” me qendër në Sofje u kthye në vatër të atdhedashurisë si motrat e saj në Stamboll dhe Bukuresht duke bashkëpunuar me Rilindasit e shquar Naim dhe Sami Frashëri, etj. Pjesë e aktivitetit të shoqatës “Dëshira” ishte hapja e shtypshkronjës “Mbrojtësia” e cila me botimet e saj luajti rol të rëndësishëm në lëvizjen patriotike Kombëtare, pararendëse për Pavarësinë e Shqipërisë. Për herë të parë në Sofje u botua në vitin 1901, në këtë shtypshkronjë gazeta “Drita” nga Shahim Kolonja. Këtu janë botuar gazeta dhe revista si “Shqypja e Shqypnisë” nga Josif Bageri, “Shqipëria e lirë” nga Kristo Luarasi, revistat “Vetëtima” nga Thoma Avrami dhe “Shqipëria” nga Nikola Ljako. Apo gazeta “Liri i Shqipërisë” e cila luajti rol për rritjen e ndërgjegjjes kombëtare shqiptare.
1 Nëntori – Dita e Rilindasve ose Iluministëve Bullgarë
