Gjatë prezantimit të edicionit të 23-të të turneut rinor MIC, Dani Olmo, mesfushori ofensiv i Barcelonës, foli për situatën aktuale te klubi katalanas, duke prekur garën për titullin e La Liga-s, eksperiencën e tij nën drejtimin e Flick dhe atmosferën në ekip.
Barcelona po kalon një sezon emocionues, me Superkupën e Spanjës të fituar, çerekfinalen e Champions League kundër Borussia Dortmund në axhendë, vendin e parë në klasifikimin e La Liga-s dhe ende në garë për “Copa del Rey”.
Olmo u shpreh i kënaqur me euforinë e tifozëve: “Më pëlqen fakti që njerëzit janë entuziastë. Kam ardhur këtu për të fituar dhe besoj se kemi një skuadër për gjithçka. Jemi ende në lojë në të gjitha kompeticionet, synimi ynë është të fitojmë.
Kjo është ambicia jonë, si e lojtarëve, ashtu edhe e stafit drejtues. Kërkojmë gjithnjë më shumë gola, më shumë suksese. Tifozët po e shijojnë këtë moment, tani vjen pjesa më e bukur e sezonit. Jemi gati, objektivi është të fitojmë gjithçka”.
Trajneri gjerman Hansi Flick, i cili mori drejtimin e Barcelonës këtë sezon, duket se ka krijuar një marrëdhënie të afërt me lojtarët blaugrana: “Në një ekip ka momente për gjithçka. Flick është shumë pranë nesh, si i gjithë stafi. Jemi shumë të lumtur”.
Duke qenë se Barcelona dhe Real Madridi ndodhen në anët e kundërta të shortit të Champions League, ekziston mundësia e një “El Clásico” historike në finalen e madhe të Mynihut. Dani Olmo, me një buzëqeshje, e komentoi shkurt këtë skenar: “Do të ishte një finale e bukur, apo jo?”
Një finale mes dy rivalëve më të mëdhenj të Spanjës. Tifozët e futbollit vetëm mund të ëndërrojnë për një duel të tillë epik!
Olmo nuk fshihet: Te Barcelona për të fituar gjithçka, tani vjen pjesa më e bukur e sezonit
