31 Tetor 2025
13:36
Alfred Lleshi
Një miqësore luksi, ashtu siç mund të quhet, duke parë 12 milionë eurot që Angola ka paguar për të sjellë kampionët e botës në Luanda më 14 nëntor. Federata e Futbollit të Angolës e ka njoftuar zyrtarisht ndeshjen përmes kanaleve të saj, e cila do të shërbejë për të festuar 50-vjetorin e pavarësisë së vendit nga kolonizimi portugez, më 11 nëntor 1975.
Kontrata parashikon pjesëmarrjen e Leo Messit, gjë që sipas mediave afrikane justifikon pagesën rekord të garantuar për përfaqësuesen argjentinase. Messi nuk ishte përfshirë në grumbullimet e tetorit nga trajneri Lionel Scaloni, por pritet të kthehet për këtë ndeshje miqësore. Ditët e fundit, ai ka shprehur dëshirën për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, nëse gjendja fizike do t’ia lejojë deri në atë kohë.
Sipas “L’Équipe”, edhe Maroku kishte kërkuar të organizonte një miqësore me Argjentinën në nëntor, me kushtin që Messi të ishte në fushë, por hoqi dorë për shkak të kërkesës prej 10 milionë eurosh nga federata argjentinase.
