Adriatik BALLA
Berat Gjimshiti dhe Arlind Ajeti janë 32-vjeçarë. Kapiteni Gjimshiti është i lindur në Zurih të Zvicrës dhe është rritur te skuadra e Zurihut. Prej vitit 2016 është tek Atalanta në Serie. Në Ligën e Kampionëve ka arritur shifrën e 31 takimeve. Kurse Ajeti ka lëvizur shumë më tepër në karrierë. Aktualisht është te Bodrumi, vetëm në kategorinë e dytë turke. Ai është i lindur në Bazel të Zvicrës dhe është zhvilluar në klubin me emrin e njëjtë. Ndonëse jo në nivel të lartë aktualisht, Ajeti është shumë i rëndësishëm te Shqipëria. Sidomos kur luan në partneritet me Gjimshitin.
Paraqitjet për Zvicrën
Të rritur në dy prej klubeve kryesore të Zvicrës, Zurihu e Bazeli, Gjimshiti e Ajeti luajtën krah njëri-tjetrit së pari më 5 qershor 2011. Ishte ndeshje e Zvicrës U19 ndaj Malit të Zi U19 dhe i takonte kualifikimeve për Evropian. Zvicra fitoi 3:2. Me Zvicrën U19, dy shtyllat aktuale të mbrojtjes së Shqipërisë i kishin pesë paraqitje të përbashkëta. Më pas i luajtën bashkë gjashtë ndeshje me Zvicrën U21. Së fundi fushën si lojtarë të Zvicrës e ndanë më 4 shtator të vitit 2014. Asnjëri nuk arriti te Zvicra A dhe të dy iu bashkuan Shqipërisë. Gjimshiti, që luajti për Zvicrën U18, U19 e U21, te Shqipëria debutoi në vitin 2015. Ajeti luajti për Zvicrën U17, U18, U19, U20 dhe U21. Debutoi te Shqipëria që në vitin 2014, dy muaj pasi luajti së fundi me Zvicrën U21. Ajeti në fakt ka debutuar para Gjimshitit si te Zvicra ashtu edhe te Shqipëria. Por Gjimshiti tashmë është kapiten i kuqezinjve, ndërsa i ka 66 paraqitje e një gol. Ajeti ka 36 paraqitje e po ashtu një gol.
Së bashku në Kombëtare
Në Kombëtaren e Shqipërisë për herë të parë në fushë ishin së bashku më 4 shtator 2015. Bëhet fjalë për barazim pa gola me Danimarkën. Lorik Cana ende ishte lider i mbrojtjes dhe kapiten. Përkrah tij u paraqit Ajeti, Gjimshiti e mbuloi krahun e djathtë, ndërsa Ansi Agolli të majtin. Tashmë i kanë 16 ndeshje së bashku te Shqipëria. Numri i ndeshjeve të përbashkëta nuk është më i madh për shkak se Ajeti, sidomos sa ishte në Serie C, nuk ftohej shumë. Por në dy vjetët e fundit është bërë shumë i rëndësishëm.
Dyshja në Europianin e Gjermanisë
Gjimshiti – Ajeti ishte partneriteti i qendrës së mbrojtjes në Euro 2024, i zgjedhur nga Silvinjo. I kompletoi ndeshjet me Italinë, Kroacinë e Spanjën. Dhe në këtë dyshe braziliani Silvinjo po bazohet edhe në kualifikimet për Botërorin 2026. Në pesë prej gjashtë ndeshjeve të deritashme në këto kualifikime, duke përfshirë dy me Serbinë, qendra e mbrojtjes së kuqezinjve është përbërë nga Ajeti e Gjimshiti. Ndaj Letonisë, më 10 qershor në Riga, munguan të dy. “E njoh Ajetin që kur ishim 15-vjeçarë. Kemi luajtur bashkë që në grupmoshat e reja të Zvicrës. Më pas vendosëm të luajmë bashkë për Shqipërinë dhe prej asaj kohe kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet. Kuptohemi dhe e njohim njëri-tjetrin”, ka thënë Gjimshiti pas fitores së madhe ndaj Serbisë në Leskovc, më 11 tetor. Është thuajse e sigurt se mbrojtja e Shqipërisë do t’i besohet Gjimshitit e Ajetit edhe në ndeshjen e 13 nëntorit me Andorrën dhe atë të 16 nëntorit me Anglinë. Stabiliteti i tyre mund ta ndihmojë Shqipërinë të arrijë në plejofin për kualifikim në Botëror.