Nuk ka shumicë të re parlamentare, Çitaku: Kosova të shkojë në zgjedhje të reja

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se në Kosovë nuk ka shumicë të re parlamentare, andaj vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja. 
Ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit sot, tha se seanca e vetme që mund të thirret në Kuvend është ajo për formimin e qeverisë së re, andaj çdo thirrje e seancës për diçka tjetër është shkelje e Kushtetutës dhe ligjeve, raporton KosovaPress. 
“Qartësova se pika e vetme e rendit të ditës që mund të trajtojmë si kryesi është thirrja e seancës për votimin e qeverisë se re. Çdo gjë tjetër është shkelje e ligjit dhe Kushtetutës”, tha Çitaku. 
Ajo tha se në takimin e nesërm te presidentja Osmani, liderët politikë duhet të dëshmojnë a ka shumicë të re parlamentare. Por sipas saj, në Kosovë po shihet se nuk ka shumicë parlamentare, andaj vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja. 
“Liderët në takimin e nesërm do të qartësojnë se a ka shumicë të re apo jo. S’ka shumicë të re parlamentare dhe s’kemi nevojë për taktizime”, tha Çitaku. 
Presidentja Vjosa Osmani, pas dështimit të formimit të qeverisë nga mandatari Albin Kurti, ka ftuar për ditën e premte liderët e partive politike. E para e vendit duhet t’i jep shansin një kandidati tjetër për formimin e qeverisë dhe nëse kjo dështon sërish, atëherë sipas afateve kushtetuese duhet të shpallen zgjedhjet e reja brenda 40 ditëve.