Paketa vjetore e zgjerimit të Komisionit Evropian, ja çfarë pritet të përfshihet në raportin për Kosovën

Komisioni Evropian pritet të miratojë dhe të publikojë së shpejti paketën vjetore të zgjerimit, së bashku me raportet e progresit për vendet që përfshihen në këtë proces, në përputhje me orarin tradicional të Paketës Vjetore të Bashkimit Evropian. Në bazë të agjendës së publikuar nga Kolegji i KE-së, paketa vjetore e zgjerimit është planifikuar të publikohet më 29 tetor. Kjo do të jetë paketa e parë e zgjerimit që do të miratohet nga përbërja e re e KE-së, pas marrjes së mandatit në janar të vitin 2025. Sa i përket Kosovës, raporti pritet të vlerësojë nëse është bërë progres në sektorët kyç të qeverisjes dhe reformave, përfshirë sundimin e ligjit, administratën publike, luftën kundër korrupsionit, avancimin e shërbimeve publike dhe tranzicionin e gjelbërt.
Raporti i Progresit për Kosovën pritet të përmbajë vërejtje për mungesën e gatishmërisë për t’i zbatuar obligimet që dalin nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. KE-ja pritet që të bëjë ftesë për më shumë progres në sigurimin e një gjyqësori të pavarur dhe për respektimin e lirisë së medias. Gjithashtu, situata politike dhe ajo e sigurisë në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe do të jenë në fokus, krahas ngërçit politik në vend pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, cili ka ndikuar drejtpërdrejt në zbatimin e reformave dhe bllokimin e Planit të Rritjes të BE-së, nga i cili Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro. Një pjesë e raportit pritet t’i kushtohet edhe masave ndëshkuese. BE-ja ka sinjalizuar se mbarevajtja e zgjedhjeve lokale, dhe veçanërisht pjesëmarrja e komunitetit serb, mund të ndikojë në mënyrë pozitive në procesin e heqjes graduale së këtyre masave.