“Mkhitaryan-Di Lorenzo nuk ishte penallti, Juventusit i mungon një 11-metërsh”

Përgjegjësi i gjyqtarëve të Serie A, Gianluca Rocchi, komentoi në “Open Var” rastet më të diskutueshme të javës, mes tyre penalltia e dhënë për Napolin pas kontaktit Mkhitaryan–Di Lorenzo: “Është një episod i veçantë, me problem procedural. Arbitri mund të mos e ketë parë, por komunikimi duhet të bëhet me VAR-in, jo me asistentin.
Ndërhyrja e Bindon nuk më pëlqeu aspak, shkoi përtej kompetencës së tij. Vendimi nuk është i saktë, nuk është penallti dhe duhej kërkuar ‘on-field review’. Përgjegjësinë kryesore e ka asistenti, pastaj arbitri dhe më pas VAR-i”.

Ai shtoi se “penalltitë duhet të jenë të qarta dhe të kenë një nivel të lartë ndikimi në ndeshje; kjo ishte nën këtë prag”. Rocchi pranoi gjithashtu se Juventusit i mungoi një penallti dhe se procedura e ndjekur në rastin e Napolit “ishte shumë e çuditshme dhe e gabuar që në bazë”. Rocchi komentoi edhe rastin e diskutuar në Lazio–Juventus, ku bardhezinjtë kërkuan penallti pas kontaktit në zonë midis Gila dhe Conceição:
“Në VAR nuk ishin mjaftueshëm të kujdesshëm. Duhet theksuar se jo çdo ‘step on foot’ është penallti, duhet të ketë një duel të vërtetë për topin. Në këtë rast, lojtari kërkon kontaktin, por ka një shtypje të qartë mbi këmbë. Prisja ‘on field review’ dhe dhënien e një penalltie. Në VAR e rishikuan shumë shpejt, sepse unë kam përsëritur që jo çdo shtypje është penallti, përndryshe nuk do të ngriheshim më nga fusha. Megjithatë, ky rast është i krahasueshëm me një pengim klasik”.