“Saga” e zgjedhjeve në Kosovë, analistja: Është realizuar skenari i Albin Kurtit!

Sytë e gjithë Kosovës janë kthyer nga presidentja Vjosa Osmani, e cila pritet të zhbllokojë vendin nga ngërçi politik. Në seancën e së dielës, kryeministri Albin Kurti nuk mori dot 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.
Analistja Alma Lama tha se presidentja Osmani do të bëjë përpjekjet e fundit për të gjetur një zgjidhje.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Roland Zilin, Lama theksoi se Kurtit i është realizuar skenari i tij, pasi, sipas analistes, kryeministrit i leverdiste ta çonte situatën deri në zgjedhje të parakohshme.
Alma Lama u shpreh se është tërësisht jologjike që të ketë dy palë zgjedhje. Analistja shtoi se buxheti duhet të miratohet deri më 31 dhjetor, në të kundërt Kosova hyn në krizë totale, në kolaps financiar.
Intervista e plotë:
Në kushtet kur të gjitha partitë kanë pranuar se nuk mund ta formojnë dot qeverinë e re, cilat pritet të jenë hapat që do të ndjekë presidentja Osmani?

Lama: Po, besoj që presidentja Osmani do të bëjë përpjekjet e fundit për të gjetur një zgjidhje. Tani u takon partive që ishin në opozitë për të krijuar qeverinë, mirëpo ata janë deklaruar që nuk i kanë numrat dhe do ta refuzojnë mandatin nëse ua jep presidentja. Kështu që kërkesa e saj e vetme ngelet, nëse do ta bëjë, për krijimin e një qeverie teknike, e cila do të zgjidhte çështjen e buxhetit dhe miratimin e ndonjë marrëveshjeje ndërkombëtare në Parlament, vetëm sa për të kaluar këtë fazën e krizës ku po hyn Kosova në një gjendje pothuajse antikushtetuese.
Albin Kurtit mund të themi se i leverdiste ta çonte situatën deri në zgjedhje të parakohshme apo realisht dështoi të krijonte koalicionin?
 Lama: Mendoj se skenari i tij është realizuar plotësisht. Ai nuk dëshironte që të lejonte themelimin e Parlamentit për shkak se nuk i kishte numrat. Pra, nuk i ka pasur numrat për themelimin e qeverisë prej ditëve të para pas zgjedhjeve dhe kështu që ka shpikur lloj-lloj metodash e procedurash për të shtyrë konstituimin e Parlamentit deri në fazën e fundit, e cila ishte para dy ditësh, kur ai dështoi në krijimin e qeverisë. Ai nuk arriti të gjejë partnerë qeveritarë dhe tani duket se zgjidhja e vetme do të jenë zgjedhje të tjera të parakohshme. Ndërkohë, Kurti vazhdon të jetë kryeministër në detyrë, që i bie se mandati i tij zgjat më shumë deri sa të zhvillohen zgjedhje të tjera, dhe ka shumë situata të paqarta ligjore se si do të procedohet. Nga ana tjetër, buxheti duhet të miratohet deri në 31 dhjetor. Nëse nuk miratohet, Kosova hyn në krizë totale, në kolaps financiar. Pra, nuk ka paga, nuk mund të ekzekutohet asnjë linjë buxhetore.
  A rrezikon Kosova të zhytet më tej në krizë duke pasur parasysh që mund të kemi dy palë zgjedhje brenda një kohe të shkurtër, pa llogaritur balotazhet e komunave?
Lama: Po, është tërësisht jologjike që të ketë dy palë zgjedhje, madje edhe tani që të ketë zgjedhje. Por mendoj që zgjedhjet që mund të bëhen pas 45 ditësh, siç janë me Kushtetutë, meqë tani dështon krijimi i qeverisë dhe në mënyrë automatike shpërndahet ky Kuvend, do të duhej të prodhonin një qeveri dhe një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentes. Por nëse vazhdohet me këtë lloj ndasish politike, me këtë lloj klime, është vështirë që të krijohet qeveria edhe në të ardhmen. Qeveria ndoshta mund të jetë pak më e lehtë sepse nevojiten vetëm 61 vota, por jo edhe Presidentja. Kështu që është jashtëzakonisht i nevojshëm konsensusi politik, sistemi politik i Kosovës e kërkon një gjë të tillë, bashkëpunimi ndërmjet subjekteve politike. Veçanërisht me strategjinë e zotit Kurti për ta polarizuar skenën politike, duket se konsensusi është i vështirë. Edhe partitë që kanë qenë në opozitë sikur kanë frikë të bashkëpunojnë, kanë frikë nga narracioni i tij, nga akuzat e tij, të cilat shkojnë deri tek shpallja si bashkëpunëtorë të Listës Serbe apo të Serbisë e të tjerë.
Në skenarin e zgjedhjeve të reja që janë në prag, a pritet që opozita në Kosovë të krijojë aleanca për të mposhtur Vetëvendosjen?
Lama: Zgjedhje të reja politike dhe rezultate të reja krijojnë një momentum të ri politik dhe mund të ndryshojnë qëndrimet e tyre. Por kjo do të varet tërësisht nga numri i votave që do të marrin. Pra, është çështje e matematikës dhe qëndrimi i LDK-së mund të ndryshojë pas zgjedhjeve. Nuk i dihet, por ndoshta ndryshon edhe vetë sjellja e z.Kurti. Megjithëse e kam pak vështirë ta besoj këtë, ai tani e ka kuptuar që me forcë nuk arrin t’i marrë dot në koalicion subjektet e tjera politike.
/vizionplus.tv