Java e 9-të e Abissnet Superiore luhet në mesjavë, sot dhe nesër. Në “Adush Muça”, Bylis fitoi 2-1 ndaj Vorës. Kapiteni Marin Abazaj “tradhton” ballshiotët dhe i lë me 10 lojtarë, pas një ndëryrjeje të gabuar ndaj Bernard Karricës në minutën e 17-të, arbitri kryesor i takimit e ndëshkon direkt me karton të kuq.
Gjithsesi, vendasit nuk u demoralizuan dhe gjetën golin pas 4 minutash me Malomo Ayodeji. Vora barazoi shifrat me Karricën në minutën e 57-të, ku u desh edhe ndërhyrj e VAR-it për të konfirmuar se ishte gol i rregullt, pasi u dyshua për pozicion jashtë loje.
Në minutën e 78-të, i sapofuturi Sanogo shënon një supergol me një goditje të fuqishme nga distanca, ku topi fillimisht përplaset në traversë dhe më pas në trupin e portierit Ruçi dhe përfundon në rrjetë. Bylis fiton 2-1 dhe renditet në vendin e 7-të me 9 pikë, Vora një vend më siper me 10 pikë.
Në “Egnatia Arena”, Egnatia fitoi 1-0 ndaj Teutës, vendimtar goli i sulmuesit arbëresh Alessandro Albanese në minutën e 43-të, pas një topi të humbur nga Erando Kotobelli. Pjesa e parë edhe gjithë takimi u mbyll me shifrat 1-0. Egnatia mban vendin e dytë me 18 pikë, Teuta të tretin me 14 pikë.
ABISSNET SUPERIORE: Egnatia shumë e fortë për Teutën, Bylis bën detyrën në shtëpi ndaj Vorës
