Duket se çështja e gjinisë së volejbollistes braziliane Nayara Ferreira, që luan me Dinamon në Superligën shqiptare, do të vazhdojë gjatë. Ajo është pezulluar pa afat nga Federata Shqiptare e Volejbollit, për shkak se i kërkohet të bëjë testin e gjinisë, pas kërkesës që kanë bërë kundër lojtares ekipet e Pogradecit dhe Vllaznisë, që kanë dyshimet e tyre.
E pezulluar, lojtarja nuk ka luajtur në ndeshjet e fundit në kampionat dhe është krijuar një situatë aspak e këndshme. Lojtarja 32-vjeçare, me përvojë gati 20-vjeçare në këtë sport, është shprehur së fundi e indinjuar për këtë ngjarje dhe ka deklaruar se ata që e kanë akuzuar do të pendohen. Ndërkohë, FSHV ka bërë publike pak më parë një deklaratë për këtë çështje.
“Federata Shqiptare e Volejbollit po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit që lidhen me znj. N.F. dhe dëshiron të informojë opinionin publik se FSHV disponon të gjithë dokumentacionin dhe korrespondencën përkatëse me ekipin Dinamo Volley, ndërkohë që është në pritje të përmbushjes së detyrimeve përkatëse ndaj komunitetit të volejbollit, në lidhje me zgjidhjen e këtij rasti”, thuhet në deklaratën e FSHV-së.
“Federata garanton se do të veprojë me transparencë të plotë në çdo hap të ndërmarrë gjatë këtij procesi, por njëkohësisht shpreh shqetësimin për përdorimin e këtij rasti, i cili është tërësisht sportiv, si pretekst për shkelje të të drejtave të individit apo të komuniteteve të caktuara. FSHV ka zbatuar me rreptësi të gjitha procedurat ligjore dhe statutore, në bashkëpunim të ngushtë me KOKSh dhe partnerët e saj ndërkombëtarë, FIVB dhe CEV”, thuhet më tej.
Komunikata vijon: “Bordi Drejtues i FSHV-së ka referuar pranë Komisionit të Disiplinës rastet e fyerjeve dhe intimidimeve publike të bëra nga disa eksponentë dhe drejtues të shoqatës Dinamo Volley në media dhe rrjete sociale. Federata u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të vetëpërmbahen nga deklarata të pavërteta, dezinformuese apo dashakeqe, të cilat dëmtojnë partneritetin dhe bashkëpunimin institucional midis palëve”.
Në fund, FSHV sqaron: “Federata Shqiptare e Volejbollit rikujton se është organi përgjegjës për mbarëvajtjen, zhvillimin dhe organizimin e volejbollit në Shqipëri, dhe siguron të gjithë aktorët e përfshirë se do të vazhdojë të zbatojë me përpikmëri të gjitha detyrimet statutore dhe ligjore”.
Çështja e gjinisë së lojtares braziliane, FSHV: Transparencë e plotë, intimidime nga ekipi i Dinamo Volley
