Adriatik BALLA
Paraqitja e lojtarëve të Kombëtares gjatë ditëve të fundjavës që lamë pas ishte vërtet cilësore. Një pjesë e kuqezinjve spikatën me golat e tyre e një pjesë me asiste, por një pjesë akoma vijon të ruajë qëndrueshmëri në fushë duke qenë titullarë dhe me minutazh të plotë, gjë që i nevojiten fort trajnerit Silvinjo për ndeshjet e nëntorit 2016. Natyrisht, në ndeshjet ndaj Andorrës dhe Anglisë trajnerit Silvinjo i duhen sa më shumë lojtarë në formë, që kanë minuta në këmbë, që tregojnë potencial me të dhëna konkrete sportive dhe rol lideri në fushë. Për momentin shumica e lojtarëve luajnë dhe tregojnë të dhëna të qenësishme në fushën e lojës, por ka dhe lojtarë që po kalojnë probleme.
Berisha “Heroi” i Leçes në Serie A
Është mbyllur një tjetër javë pozitive për lojtarët e Kombëtares shqiptare, të cilët vazhdojnë të jenë protagonistë për ekipet e tyre me gola dhe asiste. Medon Berisha shënoi golin e parë në Seria A me klubin e Leçes. Mesfushori i Kombëtares, që ka blinduar vendin e titullarit, realizoi një gol spektakolar nga një goditje dënimi, duke i shënuar skuadrës së Udinezes. Në këtë ndeshje, titullar në mesfushë krah Berishës ishte edhe Ylber Ramadani.
Jasir Asani shkëlqeu në Iran me Esteghalin, Shpendi protagonist me Çezenën
Nëse lojtarët shqiptarë që luajnë në Europë kanë një profil të lartë dhe në tërësi shihen me më shumë vetëbesim edhe në përfaqësuese, duket se Jasir Asani është jashtë rregullit, pasi ai vijon të shkëlqejë. E bëri këtë me Guanzhu në Kotrenë e Jugut e tani po e bën në Iran me Esteghal. Kështu, referuar të dhënave, Jasir Asani vazhdon të jetë protagonist në Iran me skuadrën e Esteghlalit. Në fitoren 3-0 në transfertë ndaj Fajr Sepasit, Asani zhbllokoi takimin në minutën e 42-të nga penalltia, duke u treguar i saktë përballë portierit kundërshtar. Kristian Shpendi u rikthye këtë fundjavë te goli, pasi shënoi në sfidën Sudtirol – Çezena, që përfundoi 0-1 falë golit të sulmuesit të Kombëtares. Për Kristian Shpendin ky ishte goli i tretë këtë sezon me fanellën e Çezenës. Nazmi Gripshi luajti ndeshjen e fundit në kampionat me Astanën, që luftoi deri në fund për të fituar titullin kampion, por pa sukses. Në duelin vendimtar ndaj Kairat Almati, Astana barazoi 1-1 dhe Gripshi asistoi për golin e vetëm të skuadrës së tij në minutën e 15-të.
Seferi protagonist me Bodrumsporin turk
Sulmuesi shtatlartë shqiptar Taulant Seferi ishte protagonist me një asist në fitoren 2-0 të Bodrumsporit ndaj Igdir FK. Në minutën e 79-të, futbollisti kuqezi shërbeu saktë për shokun e skuadrës Habesoglu, që shënoi golin e dytë dhe vulosi fitoren e Bodrumsporit. Titullarë këtë javë ishin gjithashtu Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Klisman Cake, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Kristjan Asllani, Arbër Hoxha, Mirlind Daku dhe Rei Manaj. Siç duket, shumca e lojtarëve të trajnerit Silvinjo luajnë titullarë me ekipet e tyre në Europë dhe më tej dhe japin siguri në përfaqësuese.
Paraqitja e legjionarëve, ja emrat e kuqezinjve që spikatën në fundjavë
