Dështon “Kurti 3”, Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme, zbulohen tre datat kur mund të mbahen

Marsela SHYTIA
Nuk ka qeveri “Kurti 3” në Prishtinë. Qeveria e re dështoi të zgjidhet pas tetë muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Pavarësisht vonesave të shkaktuara nga dërgimi i vendimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe moskonstituimi i Kuvendit, mandatari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk arriti të bindë partitë politike që të votojnë për ekzekutivin “Kurti 3”. Kabineti qeveritar i propozuar nga Albin Kurti si i mandatuari për formimin e qeverisë së re nuk mori dot 61 votat e nevojshme. Në Kuvendin e Kosovës, 56 deputetë votuan pro, ndërsa 52 kundër dhe 4 abstenime.  Në sallë ishin të pranishëm 130 deputetë, ndërsa mbajti fjalën e tij, Albin Kurti.
Çfarë pritet?
Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse qeveria e re s’e merr mbështetjen e nevojshme, presidenja e Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër në afat prej dhjetë ditësh, i cili mund t’i bëjë numrat për formimin e qeverisë së re. “Presidentja Osmani do t’i ftojë partitë politike për konsultime gjithsesi brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese”, deklaroi për RTK-në këshilltari i saj për media, Bekim Kupina. Avokati Ardian Bajraktari ka sqaruar procesin që pritet të ndiqet në ditët e ardhshme. “Pasi presidentja të marrë konfirmimin nga subjektet politike që nuk kanë mundësi të sigurojnë një shumicë, ajo do t’i shpallë zgjedhjet, dhe sipas Kushtetutës, të njëjtat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga momenti i shpalljes”, pohon Bajraktari. Ai thotë se pas përfundimit të konsultimeve brenda afatit 10-ditor, Osmani duhet të vendosë se kujt do t’ia japë mandatin e dytë për formimin e Qeverisë. Nëse asnjë parti nuk pranon të marrë mandatin, presidentja pasi të konstatojë mungesën e vullnetit për formimin e Qeverisë, ka të drejtën dhe detyrimin kushtetues për të shpërndarë Kuvendin dhe për të shpallur zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpërndarja.
Data e zgjedhjeve
Megjithatë, partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë sugjeruan se nuk do të tentojnë ta bëjnë shumicën qeverisëse. Zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nënvizuan pas seancës se zgjidhja optimale në situatën akutale janë zgjedhjet e reja parlamentare. Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se vazhdojnë të mbesin qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare. Në një reagim në rrjetin social Facebook, Kurti shtoi më tej se falenderon të gjithë deputetët të cilët e votuan ditën e djeshme.  “Falënderoj të gjithë deputetët që mbështetën propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe qytetarët për përkrahjen. Meqë 56 vota ishin PËR, 52 KUNDËR dhe 4 ABSTENIME, nuk mund të fillojë ende mandati ynë i ri. Ndërkohë vazhdojmë si qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare”, ka shkruar Kurti në rrjetin social. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka deklaruar se datat e mundshme për zgjedhjet e reja përfshijnë 30 nëntorin, 7 dhjetorin dhe 14 dhjetorin, në varësi të ditës kur shpallen zgjedhjet.
Akuzat e opozitës
Pas dështimit të përpjekjes së Partia për Veprim Vetëvendosje për të siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë, kreu i Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi para gazetarëve se epoka e qeverisjes së Albin Kurti ka përfunduar. Ai shtoi se Kurti nuk do të jetë më kryeministër, as pas zgjedhjeve të 9 shkurtit e as në ato të ardhshme. “Koha e qeverisjes së tij ka marrë fund”, u shpreh Krasniqi. Edhe Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, tha se partitë opozitare kanë respektuar kritikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e konsiderojnë Kurtin një aleat jo të besueshëm. “Në largimin e qeverisë Kurti i është rikthyer dinjiteti dhe Kosova vazhdon të mbetet shtet sovran me miqësinë me SHBA-në, në raport me të cilën kemi arritur në zhvillim. Unë mendoj që deputetët kanë respektuar kërkesën që kemi marrë nga dy qeveritë amerikane, të cilat e kanë konsideruar Kurtin shkatërrimtar të dëmtimit të marrëdhënieve reciproke”, tha ai për “Report Tv”.