Berisha nga e shtuna lider i Leçes, Broja tregon episode nga karriera e tij, Asani lë gjurmë në Iran

 
Adriatik BALLA
Kuqezinjtë e bënë si duhet detyrën në muajin tetor, ku fituan në transfertë ndaj Serbisë e më pas në Tiranë miqësoren me Jordaninë. Theksojmë se këto fitore e ngjitën Shqipërinë plot 5 vende në ranglistën e FIFA-s, ndërsa vetë Shqipëria ndodhet tani e dyta në grupin K, pas Anglisë, me shanse të mëdha të sigurojë një vend në “play-off” të eliminatoreve të Botërorit të vitit të ardhshëm. Në nëntor Shqiëpria do të luajë dy takimet e fundit zyrtare, atë ndaj Andorrës në transfertë më 13 nëntor dhe ndaj Anglisë në “Arena Kombëtare” e Tiranës më 16 nëntor. Ndërkohë, lojtarët kuqezi janë kthyer pranë ekipeve të tyre dhe një pjesë po shkëlqejnë me gola e asiste e të tjerë edhe me rol lideri në skuadrat përkatëse.
Broja rrëfen shije dhe preference nga jeta e tij
Sulmuesi i përfaqësueses, Armando Broja, dha dy ditë më parë një intervistë për faqen zyrtare të federatës, duke thënë se ndeshja më e vështirë që kishte luajtur në karrierë deri tani ishte ajo me Spanjën në Europian dhe më e bukura është luajtur po në Europian, po kundër Italisë. “Ndeshja më e bukur? Ndeshja e parë në Europian, kundër Italisë. Më e vështira është sigurisht Spanja, ndaj saj e patëm të vështirë”, tha Broja, i cili shtoi se nuk ndjek ndonjë ritual të veçantë dhe si i tillë nuk është supersticioz. I pyetur nga gazetarët se kur e kishte kuptuar se mund të bëhej lojtar i mirë, Broja tha se kjo ndodhi kur ishte adoleshent dhe ishte pjesë e kliubit të Çelsit. “Në moshë 16-17 vjeç, atëherë kam qenë duke u stërvitur me ekipin e parë të Çelsit. I pyetur në fund se çfarë do t’i thoshte Brojës kur ishte i vogël, “Broja i madh” i tanishëm u shpreh qartë: “Do i thoja që jeta është shumë e vështirë, por duhet të jemi të foksuar, të përqëndruar në çdo moment. Ditët e vështira kalojnë, duhet të jesh me mentalitet pozitiv.” Broja tha në fund se i pëlqen muzika dhe dëshiron zakonisht të dëgjojë Drake.
Medon Berisha: Leçe tregoi se mund të fitojë ndaj çdo skuadre
Mesfushori shqiptar, Medon Berisha, u bë protagonist me Leçen në ndeshjen me Udinezen teksa shënoi një supegol me goditje dënimi, një gol që për fat të keq nuk i shërbeu skuadrës së tij që e humbi këtë përballje 3-2. Mesfushori i Kombëtares shqiptare foli për DAZN për rezultatin e kësaj ndeshjeje duke mos e fshehur keqardhjen e tij. ‘Rezultati na lë një shije të hidhur, besuam deri në fund dhe donim të qëndronim në ndeshje deri në minutën e fundit. Përsa i përket golit, në goditjet e dënimit, trajneri më kërkon gjithmonë të marr iniciativën’, u shpreh Medon Berisha. Futbollisti shqiptar më pas shprehu vendosmërinë e tij për ndeshjet e ardhshme të skuadrës së Leçes, ndërkohë që foli edhe për paraqitjet e futbollistëve që u aktivizuan si zëvendësues në përballjen me Udinezen. ‘Duhet të hyjmë me të njëjtin shpirt luftarak. Mund ta përballojmë çdo skuadër nëse luajmë me këtë qëndrim’-vijoi Medon Berisha-Po, grupi është i bashkuar. Ata që hynë, si N’Dri dhe Banda, na ndihmuan shumë dhe bënë mirë. Duhet të bazohemi nga pjesa e dytë dhe nga ajo që treguam aty.” Vlen të theksojmë se Medon Berisha u vlerësua me një notë të lartë, 8.1 nga portali i specializuar i statistikave ‘Sofa Score’.