Seleksionohen më të mirët e javës 8 në Superiore dhe në të Parën, dominon Vllaznia e Skënderbeu

Adriatik BALLA
Tetë javë garë janë luajtur deri tani në kampionatin e Kategorisë Superiore dhe në Kategorinë e Parë, ku ka rritje të nivelit nga java në javë dhe padyshim klube të interesuara për të fituar trofeun. Kuptohet, ka dhe klube të pakënaqura, që kanë bërë pak në fushë dhe me rezultatet pavarësisht pritshmërive të tyre. Në këto rrethana, duket se Vllaznia, Egnatia e Dinamo kanë pasur një progres më të mirë dhe nuk është rastësi që mbajnë vendet e para. Këtu përfshihet dhe Elbasani që kompleton top-4 të renditjes. Me një sulmues si Bala në formacion Vllaznia ka pritshmëri të mira, por s’mbetet pas “nëndetësja” dinamovite që nuk mjaftohjet më vetëm me Kupën e Shqipërisë që fitoi sezonin e kaluar, por do të kërkojë këtë vit rikthimin pas shumë e shumë vitesh tek titulli kampion. Skuadra si Famurtari e Tirana kanë zhgënjyer jo pak, i pari në vend të fundit të renditjes pa asnjë fitore në tetë jkavët e para, kurse Tirana, me një ecuri me oshilacione që e bën skuadër të paqëndrueshme. Edhe Partizani ka treguar se është ekip me probleme në këtë fazë të parë të garës, pasi ka sulmin e dobët dhe mbrojtjen e dobët, domethënë shënon shumë pak e pëson më shumë se çdo ekip tjetër.
Vlerësimet për Superioren
Java e 8-të e kampionatit “Abissnet Superiore” u mbyll pasditen e së shtunës me dy sfidat e fundit Partizani – Egnatia dhe Teuta – Flamurtari. Trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin e javës, sipas skemës 1-4-2-3-1. Në portë është gardiani i Partizanit, Pano Qirko. Katërshja e mbrojtjes formohet nga Bekim Maliqi (Dinamo City), Marcelino Preka (Partizani), Gomes Ferreira (Teuta) dhe Andrey Yago (Vllaznia). Përpara mbrojtjes janë Albano Aleksi (Egnatia) dhe Ibrahim Abbas (AF Elbasani). Dejvi Bregu i Dinamo City-t, Ergis Arifi i Teutës dhe Diallo i AF Elbasanit mbështesin në majën e sulmit Bekim Balajn e Vllaznisë. Trajneri më i mirë i javës së 8-të është përzgjedhur tekniku i Vllaznisë, Edi Martini. Vllaznia e tij triumfoi në klasiken e futbollit shqiptar ndaj Tiranës me rezultatin 3-1 dhe për kuqeblutë ishte fitorja e katërt radhazi në kampionat.
Formacioni me i mirë i Kategorisë së parë, dominojnë lojtarët e Skënderbeut e Laçit
Pas përfundimit të ndeshjeve të javës së tetë të Kategorisë së Parë, trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave kanë përzgjedhur formacionin më të spikatur të javës, në skemën 4-2-3-1. Në portë spikati këtë javë gardiani i Skënderbeut, Marko Alia. Qendrën e mbrojtjes e përbëjnë Arlind Kurti i Laçit dhe Ersildjo Asllanaj i Apolonisë, ndërsa në krahë janë vendosur Redon Dragoshi i Kukësit dhe Ergi Zenullari i Skënderbeut. Para mbrojtjes rreshtohen Dejvid Janaqi i Skënderbeut dhe Miracle Amagba i Apolonisë, ndërsa në mbështetje të sulmit janë lojtarët Edi Isteri i AF Luftëtarit, Santiago Rodriguez i Pogradecit dhe Gresild Lika i Ilirisë. Në majën e sulmit spikati sulmuesi i Laçit, Amadou Traore. Trajneri i javës është shpallur Ernest Gjoka, pas fitores së gjashtë radhazi në kampionat, me rezultatin 1-0 që skuadra e tij, Skënderbeu, arriti ndaj Besës.