Kosova mbetet pa qeveri, reagimi i Kurtit pas dështimit të seancës: Drejt zgjedhjeve të reja…

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas dështimit për të marrë votat e nevojshme për formimin e kabinetit të ri qeveritar.
Në një postim në Facebook, Kurti falënderoi deputetët që e mbështetën dhe qytetarët për përkrahjen, duke theksuar se pavarësisht rezultatit, qeveria do të vazhdojë të ushtrojë detyrat e saj deri në zgjedhjet e reja parlamentare.
“Falënderoj të gjithë deputetët që mbështetën propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe qytetarët për përkrahjen. Meqë 56 vota ishin për, 52 kundër dhe 4 abstenime, nuk mund të fillojë ende mandati ynë i ri. Ndërkohë, vazhdojmë si qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare,” – shkroi Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes i ka bashkangjitur postimit edhe videon dhe fjalimin e tij nga seanca e Kuvendit të Kosovës.
Seanca për votëbesimin e qeverisë së re përfundoi pa sukses, pasi propozimi mori vetëm 56 vota pro, ndërsa 52 deputetë votuan kundër dhe 4 abstenuan.Pas këtij rezultati, procesi për formimin e qeverisë kalon në duart e presidentes Vjosa Osmani, e cila pritet të thërrasë partitë politike për konsultime brenda afateve kushtetuese.