Martesa 43-vjeçare e Namikut dhe Dallëndyshes po pëson një moment shumë të vështirë. Ai ka kërkuar të përballet me bashkëshorten në “Shihemi në Gjyq” për një konflikt të fortë që ka hyrë në familje. Rrëfimi i Namikut në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan kthehet pas në kohë, në vitin e trazuar të 1997-ës.
Ai kishte emigruar në Greqi dhe paratë e mbledhura për 4 vjet i dorëzoi te kushëriri, Refit Haxhiaj. Bëhet fjalë për 5 milionë e 130 mijë dhrahmi dhe 14 milionë lekë, por më vonë piramidat u prishën. Refiti ka ndërruar jetë, por kishin firmosur një prokurë ku pranonte se kishte marrë para nga kushëriri, por për dhrahmitë dhe jo lekët.
Gruaja e Refitit, Natasha, i tha Namikut se të afërmit e saj do të siguronin paratë për të dy. Këto para Namiku nuk i mori kurrë dhe sot Natasha mohon gjithçka. Namiku thotë se sot ka dokumentet që e provojnë, por këto nuk mjaftojnë që Dallëndyshja, e cila ngashërehet, ta pranojë sërish në shtëpi.
Dallëndyshe: Mbaj dokumentet ti pastaj se unë në shtëpi po pres lekët, të kam dërguar 4 vjet në emigracion, më ke lënë fëmijë 1 vjeç e gjysmë dhe 5 vjeç dhe kur ke ardhur, i ke gjetur të mëdhenj fëmijët, 6 vjeç. Nuk të njihte fare për baba djali, por shkoi e i tha gjyshit hajde se ka ardhur një burrë i botës në shtëpi. Unë dua lekët ore burrë! Ti nuk m’i solle fare lekët në shtëpi mua, por të pritën përpara kushërinjtë, vëllezërit e tu se djali i xhaxhait është vëlla!
Me shumë dhimbje, Dallëndyshja tregon se i ka rritur fëmijët e vetme, me shumë mund e sakrifica. Në vitin 2012, Refiti ndërroi jetë. Gjatë këtyre viteve, Namiku pranon se dhrahmitë i kishte marrë, por 14 milionë lekët jo. Dallëndyshja i thotë se ndryshe nga i ndjeri që u konsultua me të shoqen, Namiku veproi pa folur më parë me të.
Dallëndyshe: Ke marrë gjakun tënd ua ke dhënë atyre! I ke lënë fëmijët pa bukë! I kam ushqyer vetë! E çfarë kërkon ti sot, më bie ti mua në sy të publikut që unë kam punuar një jetë të tërë?
Prej 6 muajsh Namiku qëndron te vëllai në Vlorë, kurse Dallëndyshja me dy djemtë.
Namik: Një ditë do ta zgjidhim problemin e lekëve, por jo të ndahemi ne në moshën tonë! E për çfarë?
Dallëndyshe: Ty të ndau kunata!
Namik: Për qejf të Natashës? Natasha bën biznese me paratë tona! Iu dha mundësia!
Dallëndyshja thotë se kjo situatë e ka shqetësuar shumë edhe nga ana shëndetësore dhe nuk pranon në asnjë mënyrë që të pajtohen.
Dallëndyshe: Sot kërkoke ti të kthehesh në shtëpi! Por nuk të qas, nuk të qas fare! O ti, o unë se sot është dita e fundit, unë jam e sëmurë dhe po bëj nga 6 insulina në ditë! Që ditën që ke dhënë paratë, unë kam shkuar në spital në gjendje kome! Nuk ta kam borxh!
