Vetëmjekimi përmes inteligjencës artificiale po prek edhe të sëmurët kardiakë. Kjo po ndodh më shumë tek moshat e mesme dhe të reja, të cilët ChatGPT po e kthejnë në asistentin mjekësor gjatë marrjes së terapisë. Mjekja kardiologe Engjëllushe Hasani tregon se si ky ndikim i teknologjisë po prish protokollet e mjekimit që japin mjekët specialistë.
“Ajo që vëmë re është se nuk zbatohet protokolli i mjekimit dhënë nga specialistët ose bëhet në mënyrë të gabuar nga vetë individi gjë që dëmton shëndetin. Janë shumë të ndikuar nga CHAT GPT. Jo çdo gjë zgjidhet aty. Sigurisht mund të marrin informacion, por është mjeku ai që vendos për trajtimin. Është mjeku që vendos për rrezikun kardiovaskular që mund të zhvillojë ai në të ardhmen. Tentojnë të intimidojnë mjekun duke thënë që e kam dëgjuar kështu, bëhet kështu filan studim etj…,” tha kardiologia Engjëllushe Hasani.
Ndekia e terapive me korrektësi nga pacienti garanton suksesin e trajtimit . Madje të dhënat shkencore të referuara së fundmi kanë zbuluar se gjysma e pacientëve me zemër do të evitonin vdekjet e parakohshme nëse e përditshmja e tyre do të drejtohej nga rregullat që vendos mjeku kardiolog.
“Mirë ushqyerja, aktiviteti fizik dhe mirë menaxhimi i stresit e reduktojnë vdekjen në masën 52%. Sa e rëndësishme është kur individi drejtohet nga një mjek specialist. Janë kontrolle periodike dhe nuk mundet individi të vetëmjekohet. Ose do të mjekohet sipas protokolleve të kardiologjisë ose ndryshe nuk do të ketë shëndet të plotë”, u shpreh Hasani.
Të gjitha të dhënat e analizuara tregojnë se ChatGPT nuk është një mjek i mirë, nuk ofron përgjegjësi klinike dhe ka tendencë për të prodhuar “fakte” që nuk janë të vërteta.
