Kosova drejt zgjedhjeve të reja, PDK: S’do tentojmë për të bërë shumicë, nuk është e mundur

Kosova duket se po shkon drejt zgjedhjeve të reja, pasi pas dështimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të siguruar 61 vota për formimin e qeverisë së re, edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se nuk do të tentojë krijimin e një shumice parlamentare.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se në rast se presidentja Vjosa Osmani e fton për konsultime, do të konfirmojë se partia nuk ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë.
“Nëse na fton presidentja nesër, pyetja e saj do të jetë ‘a keni shumicë’, unë do t’i përgjigjem menjëherë që jo dhe nuk do të tentojmë për ta bërë një shumicë të re sepse një gjë e tillë nuk është e mundshme”, tha Krasniqi.
Me dy partitë kryesore jashtë mundësisë për të krijuar qeveri, skenari më i mundshëm është shpallja e zgjedhjeve të reja.