Jurgen Uldedaj shkruan historinë, boksieri shqiptar shpallet kampion bote në peshën “cruiserweight”

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj (28 vjec) është shpallur kampion bote në peshën “cruiserweight”, pas fitores me vendim unanim të gjyqtarëve ndaj kamerunasit Rolly Lambert Fogoum (120-108, 118-110, 119-109).
Në duelin e zhvilluar në “O2 Arena” të Londrës, boksieri kuqezi “rrëmbetu” titullin e kategorisë IBO, që ishte vakant. Në një përballje të fortë, ai arriti të triumfojë ndaj rivalit të tij, duke marrë kurorën.
Të dy boksierët u treguan mjaft taktikë në ring, por boksieri nga Lezha ishte më agresiv, sidomos në raundet e parë, ku dhe ndërtoi fitoren e tij. Më pas, Uldedaj arriti të mrojë avantazhin dhe të ngrejë lart flamurin kuqezi në mes të Londrës.

Uldedaj vazhdimisht kishte inisiativën në ring, duke dhënë goditje të forta, mbështetur edhe nga fansa të shumtë shqiptarë që ishin në stadium. I veshur me mbathje sportive kuqezi, ai arriti të bëjë diferencën në ring ndaj një rivali me përvojë.
Boksieri kamerunas ishte sporadik në përpjekjet e tij për të grushtuar, duke e bërë edhe më të lehtë menaxhimin e sfidës nga Uldedaj, që godiste fort. Kjo i dha mundësi boksieri shqiptar të ishte i fokusuar dhe i qetë në ring, duke e merituar fitoren.
Boksieri kuqezi nuk zhgënjeu në duelin më të rëndësishëm të karrierës së tij, duke korrur suksesin e 21-të në karrierë (ka edhe 1 humbje). Ndërsa për rLambert, kjo ishte humbja e katërt në karrierë (ka 18 fitore e 1 barazim).