Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se nëse nuk ka një marrëveshje për formimin e Qeverisë në seancën e së dielës, atëherë ajo do të ftojë partitë për të parë nëse ndonjëra mund të sigurojë 61 mandatet.
“Në qoftë se ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. Në qoftë se s’ka marrëveshje, atëherë si presidente e vendit do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë nëqoftëse nuk krijohet shumica”, tha Osmani.
Sipas Kushtetutës, nëse Kurti s’arrin të formojë Qeverinë, atëherë Osmani ka detyrë që brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për një forcë tjetër që ka mundësitë më të mëdha për të formuar Qeverinë.
Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.
Më 21 tetor, Kurti la të kuptohet se Vetëvendosje mund të dështojë në formimin e ekzuekutivit, duke u shprehur se “siç duket, alternativa është se do të shkohet në zgjedhje./vizionplus.tv
