Paris SG merr kritika pse largoi Donarumën, portieri i ri s’i ka përmbushur pritshmëritë

Adriatik Balla
Largimi i një portieri si Xhixhi Donaruma ka sjellë shqetësim tek kampionët e Francës. Janë vetë mediat që shkruajnë se situata me klubin s’është aq e mirë. Në fakt, shtypi francez ka qenë kritik ndaj Paris San Zhermen dhe trajnerit Luis Enrike për vendimin e tyre për t’u ndarë gjatë verës me portierin italian Gianluigji Donaruma, pasi zëvendësuesi i tij, Lucas Chevalier, po has vështirësi për të përmbushur pritshmëritë. Donaruma kaloi katër vite në Paris dhe ishte një pjesë thelbësore e skuadrës që fitoi titullin e parë në histori të Ligës së Kampionëve në fund të sezonit 2024-25. Ai hyri në vitin e fundit të kontratës me PSG-në gjatë verës dhe, meqë nuk kishte arritur një marrëveshje për rinovim, klubi vendosi ta linte të largohej drejt Mançester Sitit për një shumë të ulët prej 27 milionë eurosh, ndërsa në vend të tij solli Chevalier për një kosto totale prej 55 milionë eurosh. Që atëherë, Donaruma është përshtatur në mënyrë të përkryer me skuadrën e Pep Guardiolës në Manchester, pavarësisht faktit që Siti kishte marrë më herët gjatë merkatos së verës një portier tjetër, James Traford. Ndërkohë, tifozët e PSG-së janë më pak të kënaqur me zgjedhjen e tyre të parë në portë, edhe pse skuadra ndodhet në krye të renditjes së Ligës së Kampionëve pas tre ndeshjeve të para të sezonit. Edhe shtypi francez ka qenë kritik ndaj PSG-së dhe vendimit për të shitur Donarumën për t’i hapur vend Chevalierit, me “L’Équipe” dhe “Le Parisien” që e kanë dënuar ashpër vendimin e klubit gjatë verës. Një raportim madje pretendon se Donaruma është aktualisht portieri më i mirë në botë dhe se PSG nuk do ta kishte fituar Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar pa të. Luis Enrike është kritikuar edhe individualisht, pasi mediat franceze pretendojnë se ai kishte “miratuar” nënshkrimin e Chevalier gjatë pjesës më të madhe të sezonit 2024-25 dhe se në fakt e kishte shtyrë Donaruman drejt largimit nga skuadra, duke bërë që italiani të mbetej jashtë listës së Superkupës përpara se të bashkohej me Mançester Sitin. Aktualisht, Chevalier po pëson më shumë se dyfishin e golave që pëson Donaruma në nivel klubi. Francezi ka pësuar 13 gola në 12 ndeshje zyrtare këtë sezon, ndërsa italiani ka pranuar vetëm 4 gola në 8 ndeshjet e para me klubin e tij të ri. Paris San Zhermen është kampione në fuqi e Ligës së Kampioneve dhe shihet si një nga skuadrat pretendente edhe për sezonin e ri. Në gjirin e saj ka edhe lojtarë të nivelit të lartë që bëjnë diferencë.