Fisnik Asllani në fokusin e tre klubeve të mëdha, në radhë edhe Totenhem

Lojtarët shqiptarë kanë marrë një emër të mirë në këtë moment, duke u kërkuar nga klube të mëdha europiane. Në fokusin e këtyre klubeve kanë qenë kryesisht lojtarët e përfaqësueses së Kosovës, e kjo ka ndodhur pasi Kosova bëri paraqitje fantastike gjatë dy muajve të fundit në kualifikueset e Botërorit, pasi barazoi me Slloveninë dhe fitoi dy herë me Suedinë. Kështu, referuar mediave sportive në Prishtinë, Fisnik Asllani është një nga emrat më të përfolur për një lëvizje në merkato, ende pa nisur një e tillë.
Sulmuesi dardan është aktualisht pjesë e Hofenheimit në Bundesliga, teksa po lidhet me një kalim të madh te një gjigant evropian. Bëhet fjalë për Barcelonën, e cila po e kërkon me ngulm, sipas raportimeve të “Sky DE” dhe gazetarit, Florian Plettenburg. Sipas tij, klubi i madh spanjoll është shumë i interesuar për lojtarin kosovar, teksa Hofenheimi në anën tjetër dëshiron të përfitojë së paku 20 milionë euro. Megjithatë, një medium tjetër, “TBR Football” ka bërë me dije se jo vetëm Barcelona është e interesuar për shërbimet e 23-vjeçarit. Sipas këtij mediumi, edhe disa klube nga Anglia i janë futur garës për Asllanin. Aston Vila, Çelsi dhe Totenhem janë klubet e interesuara për Fisnik Asllanin. “Skuadrat e skautëve të këtyre klubeve tashmë janë në dijeni të potencialit të Asllanit dhe të gjitha janë të interesuara për talentin e sulmuesit 23-vjeçar”, shkruan “TBR Football”.
Asllani këtë edicion të garave ka gjashtë gola të shënuar, teksa ka dhuruar dy asistime në 11 ndeshje me klub dhe kombëtaren e Kosovës. Përfaqësuesja dardane ka një kontigjent mjaft cilësor, e lojtarët e saj po spikasin në këtë sezon me disa prej klubeve të mëdha në Gjermani, Itali, Francë dhe Spanjë.