Java e 8-të e Superiores nisi ditën e djeshme me tri ndeshjet e para të saj e do të përfundojë këtë të shtunë me dy takimet e fundit. Ishte një xhiro e radhës në kampionat, e parafundit për fazën e parë të ligës, por që dhuroi surpriza të shumta. Në tërësi, Vllaznia dhe Elbasani sigurojnë pozita të forta pas fitoreve të djeshme ndaj rivalëve të tyre. Në fakt, më e bujshme nga të gjitha ishte fitorja e shkodranëve ndaj Tiranës, duke fituar kështu “Klasiken” e futbollit shqiptar. Dueli i luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër përfundoi 3-1 në favor të kuqebluve, të cilët e shpartalluan Tiranën dhe e nxorën me humbje nga ky duel. Në fakt, Tirana e nisi ndeshjen më mirë, duke vënë në vështirësi kuqeblutë e duke gjetur e para golin me anë të Tabeku dhe një goditje të tij të devijuar. Por brenda 5 minutash erdhën dy gola të shpejtë të kuqebluve të cilët përmbysën gjithçka, me anë të Jagos dhe të Balajt, për të kthyer ndeshjen në favor të shkodranëve. Më pas Vllaznia administroi mirë ndeshjen, edhe pse u vu në vështirësi pasi mbeti me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Kuros. Por në momentin më të mirë të bardhebluve, një gabim i Valerianos solli penalltinë me të cilën Kastrati çoi shifrat në 3-1 dhe vulosi fitoren e skuadrës së Vllaznisë.
Elbasani fiton mes tensionit me Bylisin, Josa i pakënaqur nga gjyqtari. Elbasani ka mposhtur Bylisin me rezultatin 2-1. Ndeshja në “Elbasan Arena” u shoqërua nga tensioni, ndërsa gjyqtar kryesor ishte Dorjan Maletaj dhe në VAR ishte Eldorjan Hamiti. Gjithçka ishte në favor të Elbasanit nga minuta e 25-të, kur Bylisi i Josës mbeti me 10 lojtarë. Bruno u largua me karton të kuq pas rishikimit me VAR të rastit ndaj Tsage. Diallo mori përsipër goditjen e dënimit duke dërguar topin në rrjetë. Më pas goli i dytë erdhi nga penalltia ku pas ndërhyrjes së gabuar të Përndrecës, ishte Diallo që plotësoi dopietën personale. Në pjesën e dytë kapiteni Marku riktheu Bylisin në lojë, pas golit me kokë në minutën e 50-të. Ibrahim Abas la Elbasanin me 10 lojtarë në minutën e 85-të, pasi Maletaj shkoi për herë të dytë të shikonte rastin me VAR. Në fund është Elbasani që del nga kriza, teksa Bylisi ka mbetur në zonën e ftohtë.
Dinamo e Dajës kthehet e fortë në garë. Ndërkohë që në duelin Elbasani-Bylis pati tension, në duelin Dinamo-Vora s’kish shumë histori, pasi “nëndetësja” i bëri mirë detyrat e saj dhe mori trepikëshin që e pozicionon si duhet në renditje. Kështu, Dinamo ka marrë tre pikë të rëndësishme sot në fitoren 2-0 ndaj Vorës në ndeshjen e luajtur në “Arenën e Demave”. Skuadra e Ilir Dajës, dominoi pjesën e parë ku krijoi raste të mira për shënim dhe ia doli të gjente golin me anë të Vilës vetëm në shtesën e saj. Blutë kishin një ritëm më të ulët në pjesën e dytë, ku vendasit provuan pa shumë sukses të kundërpërgjigjeshin. Por penalltia e shënuar nga Bregu i vendosi vulën ndeshjes duke i dhënë Dinamos tre pikë që vazhdojnë ecurinë e mirë të skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja.
SUPERIORE JAVA 8
TË SHTUNËNVllaznia-Tirana 3-1Elbasani-Bylis 2-1Vora-Dinamo 0-2TË DIELËNPartizani-Egnatia 17:00Teuta-Flamurtari 17:00RENDITJANr.Skuadra Pikë1.Vllaznia 192.Elbasani 143.Egnatia 144.Dinamo 145.Teuta 116.Vora 107.Partizani 78.Bylis 69.Tirana 610.Flamurtari 2
Vllaznia fiton “Klasiken” e futbollit shqiptar, shpartallon Tiranën në “Loro Boriçi”
