DHIMITRAQ XHAMBAZI: Shqipëria e rriti “stekën” pas fitores me Serbinë, ndaj Andorrës ndeshje delikate

Kombëtarja e Futbollit të Shqipërisë arriti një fitore historike në transfertë me Serbinë, me rezultatin 1-0, një fitore e regjistruar në stadiumin e Leskovcit dhe me gol të shënuar nga Rei Manaj. Kjo fitore e thelloi diferencën e Shqipërisë në vend të dytë, duke e lënë Serbinë prapa, aktualisht me 1 pikë (11-10). Deri në fund të eliminatoreve të Botërorit në grupin K janë edhe dy ndeshjet e nëntorit. Shqipëria do të luajë me Andorrën më 13 nëntor e më 16 nëntor kundër Anglisë, duelin e parë në transfertë e atë me anglezët në “Arena Kombëtare” e Tiranës. Të gjithë shpresojnë që Shqipëria të sigurojë vendin e dytë dhe të ketë mundësinë të shkojë në “play-off”, e madje të ëndërrojë për një tjetër sukses, atë të kualifikimit për herë të parë në një Kupë Bote. Për të marrë një mendim specialisti për paraqitjen e skuadrës tonë në ndeshjet e tetorit dhe për të parë deri ku janë fuqitë e saj, gazeta “SOT” intervistoi legjendën e futbollit korçar e shqiptar, Dhimitraq Xhambazi, i cili e përshkroi performancën e ekipit tonë të nivelit të lartë dhe përgëzoi punën në grup që Shqipëria tregoi në ndeshjen e Leskovcit. Për Xhambazin, shanset të jemi në “play-off” janë të mëdha, por ai apeloi që Shqipëria të bëjë kujdes në ndeshjen me Andorrën, që e quajti delikate, ndërsa duelin e fundit me Anglinë ai e quan “qershia mbi tortë” që duhet kthyer në festë.
– Ndeshja me Serbinë tregoi se kur angazhohesh si duhet, kur i zbaton mirë detyrat në fushë dhe kur e fokuson mendjen vetëm tek loja e jo fenomenet anësore, arrin të dalësh me pikë të plota nga një ndeshje e rëndësishme. Këtë gjë bëri Shqipëria në këtë përballje të rëndësishme në këto eliminatore. Cili është mendimi juaj veçanërisht për këtë sukses dhe çfarë mësimesh duhet të ketë nxjerrë skuadra nga kjo përballje e fituar?
– Ka kohë që skuadra kombëtare bën mirë. Këto paraqitje të mira u kurorëzuan me fitore në Serbi, një fitore në shumë aspekte sportive. Unë nuk hyj në politikë dhe nuk e lidh ndeshjen dhe rezultatin me politikën. Unë kam qenë vetë sportist dhe e di ç’është sporti, ndaj e lidh suksesin e fundit vetëm me vlerat sportive, jo politike. Nisur nga ecuria e kohëve të fundit dhe veçanërisht për këtë periudhë, Kombëtarja ka bërë më të mirën. Shqipëria tani e rriti “stekën”, rriti pretendimet e saj edhe në ndeshjet e mëdha e të rëndësishme dhe kjo është veçanërisht pozitive. Ajo tani ka rritur pretendimet për të marrë akoma më shumë. Nëse fitojmë edhe me Andorrën jemi afër një suksesi të rëndësishëm në grupin K, që është “play-off”-i.
– Sa ndikoi fitorja me Serbinë në këto objektiva dhe në këto pretendime të skuadrës tonë?
– Shumë, fitorja me Serbinë ishte vendimtare. Unë dua të flas për këtë fitore, pasi e përjetuam, e dëshiruam dhe ia dolëm. Ekipi luajti me dëshirë të madhe në fushë, më la mbresa për mënyrën si e konceptoi takimin, si e menaxhoi atë. Kjo fitore pati jehonë edhe në opinionin publik. Kjo pasi skuadra e Shqipërisë tregoi se ajo ka diçka për të shpalosur, ka cilësi. Së dyti, Shqipëria tregoi se mund të ballafaqohet me dinjitet edhe ndaj përfaqësueseve të mëdha europiane. Nuk mund të themi se jemi në listën e skuadrave kryesore europiane, ekipe të “dorës së parë” si Spanja, Anglia, Gjermania e Franca, por ne mund ta llogarisim tani veten mes ekipeve të “dorës së dytë” si Çekia, Polonia, Serbia, Bullgaria e Rumania, pra mund të fitojmë ndaj tyre. Rezultatet e konfirmojnë këtë që them unë.
– Çfarë tregon kjo? Kjo tregon se përfaqësuesja jonë ka lojtarë të mirë. Kemi sulmues cilësorë, një mesfushë shumë të mirë që di të menaxhojë si duhet veten dhe të bllokojë kundërshtarët, kemi një mbrojtje të shkëlqyer, si dhe një portier që veçanërisht në ndeshjet e fundit është treguar në lartësinë e duhur. Veç tyre kemi dhe një stol rezervash që jep siguri, mund të luajë secili prej tyre si titullar në fushë dhe kjo ka domethënien e vet.
– Të flasim më konkretisht. Çfarë ju pëlqeu nga paraqitja e skuadrës tonë në duelin me Serbinë?
– Më pëlqeu sidomos besimi që kishte ekipi, kjo është kryesorja. Skuadra jonë shfaqi grintë të madhe dhe dëshirë për të fituar. Për mendimin tim lojtarët dhanë 100% të tyre në këtë ndeshje, pavarësisht ndonjë mangësie. Përfaqësuesja jonë kishte besim në aftësitë e saj dhe ia doli mrekullisht. Këto që them janë fjalë zemre, të tilla i ka pasur çdo dashamirës sporti pas këtij triumfi sportiv të rëndësishëm.

– Çfarë prisni në vazhdim?
– Lojtarët e Shqipërisë luajnë në klube cilësore në Europë. Ata janë profesionistë, sidomos kur luajnë në nivele të tilla, por edhe në duele të tilla nevojitet angazhim. Në veçanti kërkohet që të mos ketë neglizhim. Unë dua që ekipi të mobilizohet në maksimum, pra të mos e marrin lehtë kundërshtarin, pavarësisht se Andorra ka një skuadër modeste. Nënvlerësimi i kundërshtarit mund të çojë në dështim të sezonit kualifikues, ndaj kërkohet përqendrim.
– Sa i takon ambicies së skuadrës tonë për të shkuar në Botëror, mendoj se është ende herët të flasim. Kjo pasi duhet pritur shorti. Por, para se të shkojmë aty ne duhet të përkushtohemi fillimisht në këto dy ndeshje. Në futboll ka vlerë gjithmonë ndeshja e radhës, ndaj dueli me Andorrën është i një rëndësie të veçantë në këtë fazë.
– Le të flasim pak për emrat e lojtarëve. Kush prej tyre iu la mbresë në duelin me Serbinë?
– Padiskutim të gjithë, s’dua të veçoj asnjërin. Nisur nga porta e deri në sulm. Portieri Strakosha bëri një paraqitje të shkëlqyer në atë ndeshje. Ai po jep garanci në katërkëndorin e portës dhe kjo është gjë e mirë për vazhdimësinë e skuadrës në këto eliminatore. Në mbrojtje kemi një kombinim të dyshes së qendrës shtatlartë me krahët që janë më teknikë. Gjimshiti e Ajeti në qendër japin forcë e siguri, kurse Hysaj e Mitaj kanë gjetur veten në këto pozicione në krahë.
– Të flasim nja dy fjalë për një ndeshje të Skënderbeut U-19 që luajti ndaj moshatarëve të Aston Vilës në Champions të kësaj moshe.
– Unë në stadium kam qenë, por këto gjëra s’i kam parë e dëgjuar. Dyshoj të ketë pasur qoftë dhe gjënë më të vogël në këtë drejtim. Në fundin e ndeshjes trajneri i tyre i mblodhi e diçka u tha, se di çfarë u tha, por unë aty isha e s’pashë gjë të tillë.
– Le të flasim nja dy fjalë për Superioren tonë.
– Ekipet morën kohën e tyre për t’u përgatitur për sezonin dhe në të njëjtën kohë morën vlerat e tyre. Sipas mundësive ato u përgatitën dhe tani po garojnë për të përmbushur objektivat e sezonit. Nga ana teknike shoh një Vllazni, Dinamo dhe Egnatia që kanë diçka më shumë se skuadrat e tjera, por është një kampionat që po rritet nga java në javë pasi e tillë është formula e garës dhe pretendimet vijnë duke u rritur me kalimin e xhirove. Unë shoh se gara ka hyrë në rrjedhën e vet normale. Klubet po bëjnë përpjekje për të shfaqur më shumë cilësi dhe unë jam optimist se do të jetë një kampionat i bukur.
Intervistoi: Adriatik Balla