Sot, 23 tetor, 42 gjyqtarë të rinj kanë bërë betimin në Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke marrë zyrtarisht detyrën e magjistratëve dhe duke nisur një etapë të rëndësishme në karrierën e tyre.
Në ceremoninë e betimit, kreu i KLGJ, Ilir Rusi, ka theksuar rëndësinë dhe përgjegjësinë e rolit të magjistratit.
“Të jesh magjistratë do të thotë të kesh përgjegjësi të madhe dhe një mision që kërkon shumë punë”, është shprehur ai, duke u drejtuar gjyqtarëve të rinj.
I pranishëm në ngjarje ishte edhe drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, i cili vuri theksin tek rëndësia e betimit.
“Ky betim do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës së tyre si magjistratë, duke qenë udhërrëfyes i angazhimit dhe ndershmërisë në çdo vendim”, deklaroi Rakipi.
Ndërsa, Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka theksuar në reagimin e tij zyrtar rëndësinë e këtij momenti për karrierën e gjyqtarëve të rinj dhe për vetë sistemin gjyqësor.
“Të dashur magjistratë të rinj, në këtë ditë të shënuar për karrierën tuaj dhe për sistemin e drejtësisë, ju uroj suksese, përkushtim dhe ndershmëri në misionin që nisni.”
Edhe pse nuk ishte i ftuar në ceremoninë e sotme, kreu i Gjykatës së Lartë theksoi se ndan të njëjtin gëzim dhe respekt për këtë ngjarje të rëndësishme.
“Uroj që në të ardhmen, ngjarje të tilla të rëndësishme të pasqyrojnë gjithmonë pjekurinë, bashkërendimin dhe respektin që i detyrohemi drejtësisë. Me respekt, Sokol Sadushi!“, thuhet në mesazhin e tij.
Siç njoftoi më herët Këshilli i Lartë Gjyqësor, emërimi i tyre si magjistratë gjyqtarë ishte bërë tre muaj më parë, por më 22 tetor, u caktuan në detyrë. Gjyqtarët e rinj do të shpërndahen në 11 gjykata të ndryshme të vendit.
Betohen 42 gjyqtarë të rinj, mesazhi i Sadushit: Suksese dhe ndershmëri në misionin që nisni!
