Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë që vendi i tij të strehojë azilkërkuesit e refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar.
Teksa ndodhet në Londër për Samitin e Procesit të Berlinit, kurti ka folur për median britanike “The Times” ku ka thënë se Kosova do të ndihmojë Mbretërinë e Bashkuar për çështjen e emigrantëve.
“E vlerësojmë këtë si detyrën tonë miqësore dhe politike. Kemi kapacitete të kufizuara, por duam të ndihmojmë dhe, ndërkohë që flasim, ka komunikim të rregullt midis ekipeve tona të zyrtarëve shtetërorë nga Ministria jonë e Punëve të Brendshme dhe juristëve për mënyrën se si ta bëjmë këtë proces sa më të qetë dhe të dobishëm për të dyja palët”, tha Kurti.
Ai shtoi më tej se në këmbim, Kosova do të dëshironte të merrte mbështetje në fushën e sigurisë përmes paisjeve apo projekteve të përbashkëta.
“Natyrisht, duam që si vend të përfitojmë, por e konsiderojmë, para së gjithash, detyrë tonën të ju ndihmojmë, sepse ju na keni ndihmuar shumë dhe këtë nuk do ta harrojmë kurrë”, deklaroi Kurti.
Kjo është hera e parë që qeveria në Prishtinë konfirmon planin ndërsa më herët kishte thënë se ishte e gatshme për ta diskutuar një çështje të tillë.
Ndërkohë Kosova ka bërë një marrëveshje të ngjashme me Danimarkën ku ka rënë dakord që të strehojë të burgosur të huaj që pritet të dëbohen nga vendi nordik, pas përfundimit të dënimit./vizionplus.tv
