Janë mbyllur 45 minutat e para të takimeve të mbrëmjes në Champions League. Në “BayArena”, PSG po fiton 1-4 ndaj Bayer Leverkusen. Kampionët në fuqi të Europës gjetën golin që në minutën e 6-të, Nuno Mendes kroson, William Pacho shënon me kokë. Në minutën e 25-të, Leverkuen pati shansin e artë për të barazuar shifrat, por Alejandro Grimaldo gabon nga pika e bardhë e penalltisë, topi u përplas në shtyllë. Në minutën e 32-të, Robert Andrich ndëshkohet direkt me karton të kuq për goditje me bërryl ndaj Desire Doue. Në minutën e 37-të, PSG mbetet po ashtu me 10 lojtarë, pas faullit të Ilya Zabarnyi si lojtar i fundit. Aleix Garcia barazon shifrat nga 11-metrat. Tre minuta më pas , Desire Doue shënon golin e avantazhit për francezët. Në fund të pjesës së parë, Kvaratskhelia shënon golin e tretë për PSG-në. Në minutën e fundit shtesë të pjesës së parë, Desire Doue shënon golin e dytë personal dhe të katërin për PSG-në.
Man. City po fiton po ashtu në transfertë 0-2 ndaj Villarreal, me golat e Erling Haaland në minutën e 16-të dhe Bernardo Silva 40′. Supersfida në “Emirates” mes Arsenalit dhe Atletico Madridit është mbyllur në barazim pa gola për pjesën e parë.
Newcastle po fiton 1-0 ndaj Benfica me golin e Anthony Gordon 32′. Pjesa e parë mes Copenhagen dhe Dortmund është mbyllur në barazim 1-1, me dy gola të verdhezinjve, një në portën kundërshtare dhe një në të tyre. Felix Nmecha kaloi në avantazh në minutën e 20′ Dortmund, Anton shënoi autogol në minutën e 34-të.
Inter është duke fituar 0-2 në transfertë ndaj Royale Union SG, falë golave të Denzel Dumfries në minutën e 40′ dhe Lautaro Martinez 45 +2′.. Në Eindhoven, PSV po fiton 2-1 ndaj Napolit. Italianët kaluan të parët në avantazh me Scott McTominay në minutën e 31′, holandezët përmbysën shifrat me dy gola të shpejtë. Fillimisht autogol i Buongiorno dhe goli i Saibari 39′.
45′ e para: Leverkusen dhe PSG me nga 10 lojtarë, por 5 gola të shënuar. Inter dhe City “ok”
