Kurti: Po hasim vështirësi në formimin e qeverisë, alternativë mbeten zgjedhjet

Duke folur në një takim me diasporën në Londër, kryeministri në detyrë i Kosoves Albin Kurti ka deklaruar se partia e tij po has vështirësi në formimin e qeverisë, ndërsa theksoi se alternativë mbeten zgjedhjet e reja.
“Do të përpiqemi maksimalisht që deri në dielën më së larg, po të hënën s’mundemi me u përgatit. Për arsye se të hënën ose e kemi bë qeverinë ose jo. Prandaj në këto ditët e mbetura, jemi duke komuniku, jemi duke bisedu. Nuk është kollaj, se, s’di si me ua shpjegu, ndoshta e keni ndëgju edhe ju vet, është intoksu atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë se ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi këtu dhe do të përpiqemi ta bëjmë qeverinë. Përndryshe, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë. Ose do ta bëjmë ne qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje prapë. Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre alternative”, tha Kurti.
Një qytetar iu drejtua shefit të qeverisë së kosovës duke i thënë :

“ Kryeministër e ke kokën e fortë. Dy javët e para e kishe mundësinë  të bëje koalicion me Nismën.”
Vetëvendosje ka përjashtuar bisedimet me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila doli e dyta në zgjedhje, ndërsa ka lënë të hapur derën për një bashkëpunim të mundshëm me Lidhjen Demokratike.