Tjetër “pit stop” për Alaba, humbet ndeshjet kundër Juventusit dhe Barcelonës

21 Tetor 2025

14:30

Alfred Lleshi

Tjetër “pit stop” për David Alaba. Mbrojtësi austriak, i cili doli nga loja në pushimin e ndeshjes së La Liga-s kundër Getafe, vuan mbingarkesë muskulore në këmbën e djathtë. Ai do të mungojë në dy sfidat vendimtare të Real Madridit; të mërkurën kundër Juventusit në Champions dhe të dielën në “El Clásico” ndaj Barcelonës.
Është një tjetër goditje për ish-lojtarin e Bayern Munich, i cili që nga ardhja në Madrid, verën 2021, nuk ka pasur vazhdimësi për shkak të dëmtimeve të shpeshta. Pavarësisht përvojës dhe lidershipit të tij, forma sportive e Alaba ka rënë ndjeshëm.
Me kontratë deri në qershor 2026, ai mund të jetë në muajt e fundit si madrilen, pasi klubi po kërkon zëvendësues më të qëndrueshëm fizikisht. Rikthimi i tij në fushë mbetet pa datë, ndërsa Reali do të veprojë me kujdes për të shmangur një tjetër rikthim të parakohshëm.