Goditi bashkëshorten 14 herë me thikë, dënohet me burgim të përjetshëm shqiptari në Greqi

Eduard Danaj, shqiptari i cili në maj 2024 vrau me thikë gruan e tij Enkelejda Danaj në Athinë, është dënuar me burgim të përjetshëm.
Sipas mediave greke, ai duhet të paguajë edhe një gjobë prej 5 mijë eurosh për akuzën e mbajtjes dhe përdorimit të armës pa leje.
“I pandehuri është një njeri i dhunshëm dhe apatik, ai as nuk i mbante mend datat e lindjes së fëmijëve të tij, gjë që është e paimagjinueshme. Ai konsumoi alkool pas vrasjes së gruas dhe jo më parë, siç pretendon ai. Akti i tij ishte i paramenduar. Ai mbante një kapelë, mori një taksi dhe më pas shkoi në një hotel. Kur u arrestua, ai i tha oficerit të policisë “Ia bëra mirë asaj”. Ai ishte i motivuar nga xhelozia dhe zilia ekstreme”, tha gjykatësi i cili shpalli vendimin unanim të Gjyaktës.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 16 maj. 50-vjeçari e goditi Enkelejdën më shumë se 14 herë me thikë. 40-vjeçarja humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes.
Vajza 22-vjeçare, e cila pas vrasjes brutale të nënës së saj ka marrë përsipër rritjen e vëllait të saj më të vogël, ishte dëshmitare në gjyqin e të atit.
Ajo deklaroi se i ati nuk u penduar kurrë për krimin.
“Folëm një herë. Ai më kërkoi falje, por pastaj filloi ta mallkonte mamin”, tha vajza e 52-vjeçarit.
“Gjithmonë kishim tensione në shtëpi, babai im ishte i dhunshëm ndaj mamasë sime. Ai e rrihte gjatë gjithë kohës. Më kujtohen incidente të tilla gjatë gjithë fëmijërisë sime . Ai ishte xheloz dhe gjente justifikime.. Mamaja ime na çonte në shkollë dhe kishte gërvishtje në qafë. Ai i thoshte: ‘Do të të vras, do të jemi bashkë në jetë a në vdekje’. Ky ishte arsyetimi i tij ”, tha vajza e viktimës në dëshminë e saj.
Vajza dëshmoi në detaje: Ai humbi punën dhe pinte. Ai rrinte në shtëpi me orë të gjata dhe grindjet ishin më intensive. Pastaj u ndanë, u divorcuan, unë isha 14 vjeç në atë kohë. Ai iku për në Shqipëri. Unë dhe vëllai im kishim shkuar ta shihnim një herë. Ai më telefononte, më mallkonte dhe më thoshte se e mbështesja mamin tim. Ai nuk e kishte pranuar që po divorcoheshin.
“E doja”
Në mbrojtjen e tij, në gjykatë, i pandehuri iu referua njohjes së tij me viktimën kur ajo ishte vetëm 16 vjeç . Ai përmendi gjithashtu se familja e vajzës kundërshtoi martesën e tyre, por ata përfundimisht u martuan në vitin 1999 në Shqipëri.
“Pastaj erdhëm në Greqi,” tha i pandehuri.
“E doja shumë, por u grindëm, unë pija,” vazhdoi 52-vjeçari.
“Nuk e godita . Ajo gjithmonë donte të largohej, unë nuk e lashë,” pohoi ai.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *