Conceição: Mbrojtja me tre na jep më tepër ekuilibruar. Europa? Mendojmë ditë pas dite…

Sergio Conceição nuk mund të mos e niste konferencën për shtyp, pas fitores me Udeinese, me dëmtimin e Maignan: “Ishte një skenë që më la shumë përshtypje. Kishim dy lojtarë tanë të shtrirë në tokë, kishte kaos, shqetësim… Duhet të përgëzoj publikun e Udines që duartrokiti një lojtar, që më parë e kishte fishkëllyer. Një gjest i jashtëzakonshëm, në shumë vite në futboll e kam parë shumë rrallë”.
Trajneri kuqezi foli më pas për zgjedhjet taktike: “Kemi punuar për mbrojtjen me tre edhe gjatë pushimit (kualifikueseve të kombëtareve). Këtë herë kemi punuar me këtë ide si me topin, ashtu edhe pa të, sepse më në fund kishim një javë të plotë për t’u stërvitur. Jemi më të mbrojtur në këtë mënyrë, pata ndjesi pozitive. Tani fillojmë të mendojmë për Atalantën, sonte pashë një skuadër të ekuilibruar”.
“Ndeshja më e bukur nën drejtimin tim? Fitorja më e bukur ende nuk ka ardhur, – shtoi portugezi. – Theo Hernandez? Të gjithë e dimë që në aspektin ofensiv është një nga më të mirët në botë, në rolin e tij. Donim t’i jepnim më shumë mbrojtje dhe me këtë sistem ai është më i mbrojtur.
Kemi punuar që Jovic të bëjë lëvizje për të liruar hapësira, duke zbritur thellë apo shkuar në thellësi. E kemi bërë këtë zgjedhje, sepse kundërshtari ishte shumë fizik, donim të përfitonim nga shpejtësia jonë.
Një vend në Europë? Duhet të mendojmë ditë pas dite, nuk ka më nevojë të flasim për këtë. Kanë rëndësi vetëm rezultatet, le të përqendrohemi në to”.