Klisman Cake tregon si ndihet kur mori ftesën si kuqezi dhe si e përjetoi fitoren me Serbinë

Adriatik BALLA
Emocionet e fitores me Serbinë vazhdojnë të bëjnë jehonë në shtypin sportive europian, ku lavdërohet performanca e ekipit shqiptar dhe e kuqezinjve që ishin në fushë. Natyrisht, të mëdha ishin emocionet edhe tek lojtarët që ishin rezervë në atë ndeshje. Padyshim që të gjithë kanë kontributin e tyre, pavarësisht se një trajner hedh në fushë 11-lojtarët që ai gjykon se janë më të mirët e më në formë për momentin. Ndërkohë, një nga futbollistët e ftuar për herë të parë në ekipin përfaqësues në këtë periudhë është Klisman Cake. Ai vjen nga skuadra e Shkëndijës së Tetovës, atje ku ndihen fort ngjyrat kuqezi dhe e duan shumë Kombëtaren. Kështu, Klisman Cake ka folur në konferencë për shtyp, para ndeshjes që Shqipëria do të luajë përballë Jordanisë.
Ky takim është miqësor, ndërsa merr jetë nesër në “Air Albania” prej orës 19:00. Emocionet e këtij grumbullimi për lojtarin janë të forta. Për të ky grumbullim ishte dhe me këmbëtë mbarë pasi Shqipëria e fitoi ndeshjen me Serbinë. “Ka qenë ëndërr për mua, siç është për çdo fëmijë. Jam i grumbulluar dhe po jetoj ëndrrën”, theksoi ai. Më pas Cake foli për grupin e kuqezinjve. “Grupi është shumë mirë. E kam gjetur shumë të bashkuar, si në rrallë vende është. Dua t’i falenderoj për mikpritjen”, shtoi ai. Nuk kishte si të mungonte në përgjigjet e tij edhe një qëndrim për trajnerin brazilian Silvinjo. “Nuk kisha folur më parë, fola pasi erdha në hotel”, tha shkurt Cake, pa folur për gjëra specifike, por dukshëm duket se ai mund të ketë shanse të zbresë në fushë në miqësoren me Jordaninë.
Shanset e aktivizimit dhe biseda me tetovarët
Për të do të ishte një debutim sa interesant aq dhe shpresëdhënës për karrierën. Por ai shtoi se nuk ka premtim që të jetë titullar në këtë ndeshje. “Normalisht që jo, askush nuk e jep këtë premtim. Ne gjithmonë jemi gati për Kombëtaren. Askush nuk premton gjë”, nënvizoi ai. Më pas Cake iu përgjigj pyetjes nëse e priste këtë ftesë në Kombëtare. “Nuk e kisha menduar gjatë. Kur më erdhi, ishte surprizë. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Gjithë jetën kuqezi”, shtoi më tej Cake. Nuk mungoi një përgjigje e tij për Shkëndijën dhe si e duan Kombëtaren në Tetovë. “Te Shkëndija janë gëzuar shumë.
Duke ditur sa shumë e duan Kombëtaren dhe sa patriotë janë. Më uruan të fitoj lojën me Serbinë, që ishte kryesore. Te Shkëndija më japin emocion ngjyrat kuqezi, por Kombëtarja ndjesi tjetër. Nuk krahasohet me asnjë klub”, komentoi më tej ai. Në fund Cakre u ndal tek ftesa për tifzët kuqezi, që të vijnë ta ndjekin Kombëtaren edhe në miqësoren e sotme me Jordaninë. “Nesër ftoj të gjithë tifozët, si kanë dalë nëpër rrugë, i ftoj të vijnë në stadium dhe ta festojmë së bashku atë fitore që arritëm”, përfundoi futbollisti Cake që u ftua për herë të parë nga Silvinjo në këtë grumbullim të përfaqësueses. Mbetet të shihet nëse trajneri Silvinjo do t’i japë minuta Cakes në miqësoren me Jordaninë, por logjika e do që ai të aktivizojë në këtë miqësore të gjithë lojtarët që janë grumbulluar, për t’u dhënë një mundësi të performojnë si kuqezi në fushën e lojës.